“Asociacioni të formohet”, “marrëveshja urgjente”, del një ‘non-paper’ nga takimi ‘sekret’ në Zvicër

E publikuar: 20/12/2022 18:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe duhet të nis të merret me hartimin e statutit. Ky është njëri nga rekomandimet që doli nga një takim që përfaqësues nga Kosova dhe nga Serbia e zhvilluan nga 10-12 nëntori në Zvicër. Nga aty doli edhe sugjerimi për nevojën që brenda tre muajsh të gjendet një zgjidhje për zgjedhjet në veri. Atmosfera që mbizotëroi në këtë takim përshkruhet si racionale dhe konstruktive. Palët në fund e kanë miratuar një ‘non-paper’ ku ndër tjerash thuhet se marrëveshja gjithpërfshirëse po bëhet urgjente. Dokumenti duhej të dorëzohej në Prishtinë dhe në Beograd.

Ndërsa tensionet janë rritur si kurrë më parë, përfaqësues të Kosovës dhe të Serbisë u takuan në nëntor dhe u pajtuan për disa çështje shumë të rëndësishme. Diku në Solothurn, qytetin e vjetër në veri-perëndim të Zvicrës ishte vendtakimi. Atje përkrah njëri-tjetrit ishin përfaqësues kosovarë nga pozita dhe opozita.

Mimoza Kusari-Lila nga Lëvizja Vetëvendosje, Bernard Nikaj nga Partia Demokratike e Kosovës. Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që e përbënin ekipin kosovar në këtë takim, nuk folën për të deri kur për këtë raportoi një medium zviceran. Në këtë takim Serbia u përfaqësua nga Nemjana Staroviq, Sanda Raskoviq Iviq, Branko Ruzhiq, Gjorgje Paviçeviq.

Draftë “non-paper”

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës ka konfirmuar të hënën për Gazetën Express se zyrtarë të partive të Kosovës dhe të Serbisë janë takuar në Zvicër një javë pasi serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare. Mediumi zviceran “NZZ am Sonntag” paraprakisht raportoi për këtë në fundjavë, ndërsa “Kosovo Online”, një medium serb, i përmendi emrat e pjesëmarrësve.

Takime të tilla organizohen nga viti 2015 nga institucioni amerikan joqeveritar, Këshilli për Qeverisje Gjithpërfshirëse, me mbështetje të kryediplomacisë zvicerane. Kjo organizatë merret me lehtësimin e dialogut konstruktiv si mjet për të nxitur bashkëpunimin ndërpartiak, marrëveshjen ndëretnike dhe bashkëpunimin ndërshtetëror, dhe kryen analiza të çështjeve të politikave bashkëkohore.

Këshilli për Qeverisje Gjithpërfshirëse e përshkruan si racionale, largpamëse e konstruktive atmosferën në këtë takim. Përfaqësuesit kosovarë dhe ata serbë u pajtuan për një “non-paper” me shtatë pika, të cilin Zvicra do ta dorëzojë në Prishtinë dhe Beograd.

Pjesëmarrësit në këtë takim ishin ndarë në grupe dy nga dy për të diskutuar për sugjerimet dhe hapat e ardhshëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata gjetën konsensus për t’i bërë së bashku disa rekomandime për dialogun.

‘Non-paper’-i u publikua në faqen e Këshillit për Qeverisje Gjithpërfshirëse. “Lajmi i mirë është se palët kanë rënë dakord të angazhohen. Disa pjesëmarrës, të cilët e kishin parë propozimin (franko-gjerman) thanë se korniza përfaqëson një bazë të mirë për negociatat, por se duhet të bëhet shumë punë për një marrëveshje, edhe nëse ose kur palët e pranojnë kornizën”, u tha në një njoftim pas takimit.

Pika e parë e ‘non-paper’-it thotë se “lufta në Ukrainë ka krijuar një momentum strategjik për një proces të përshpejtuar të integrimit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike”.

Pika e dytë thotë se është në interes të përbashkët kombëtar të Kosovës dhe Serbisë që të zhvillojnë marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme.

Pika e tretë trajton ngjarjet e fundit në veri të Kosovës. Përfaqësuesit nga Kosova dhe ata nga Serbia thanë se janë të shqetësuar për situatën e sigurisë atje. Thuhet se “nevojitet të ndërmerren veprime specifike pa vonesë për ta adresuar situatën aktuale”.

Pika e katërt e ‘non-paper’-it përmend thirrjen e pjesëmarrësve të këtij takimi për t’i shumëfishuar përpjekjet “për t’i adresuar çështjet afatgjata”. Ata do ta mirëprisnin një iniciativë të fortë të palës së tretë për ta mbështetur Kosovën dhe Serbinë në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Kjo marrëveshje, u tha se “po bëhet urgjente”.

Pika e pestë thekson thirrjen e pjesëmarrësve për Bashkimin Europian, Gjermaninë, Francën dhe SHBA-në që ta krijojnë një kornizë të re të fuqishme për t’i udhëhequr Kosovën dhe Serbinë përmes një procesi negocimi “që përfundimisht do të rezultojë me një marrëveshje të tillë”.

Pika e gjashtë flet për angazhimin ndërkombëtar dhe të Kosovës e Serbisë që ta krijojnë “një udhërrëfyes për negociatat duke përfshirë edhe afatet kohore”.

Pika e fundit thekson se pjesëmarrësit mirëpresin “palë të treta të tjera me përvojë dhe të përkushtuar për ta mbështetur këtë proces sipas nevojës”, dhe kërkesën që ky dokument t’u dorëzohet palëve.

Përveç ‘non-paper’-it, përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë i dhanë disa rekomandime, “disa të bazuara në konsensus dhe disa në marrëveshje të gjerë”.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet të jetë një paketë në të cilën ka diçka të mirë dhe diçka e keqe për secilën palë. Qasja pjesë-pjesë nuk do të funksionojë. Një marrëveshje e tillë do të kërkojë jo vetëm angazhime të Serbisë dhe Kosovës, por edhe të BE-së”, thotë njëri nga rekomandimet.

Në një tjetër rekomandim, thuhet se “shumica thanë se Kosova duhet ta hartojë një statut dhe ta formojë Asociacionin/Bashkësinë”. Kjo çështje, u tha se mbetet “e mprehtë” dhe se disa këmbngulën që kjo “duhet të jetë pjesë e marrëveshjes gjithpërfshirëse”.

“Të gjitha marrëveshjet e vjetra duhet të respektohen dhe të zbatohen”, thotë një rekomandim tjetër.

Për shkak të situatës në veri të Kosovës, pjesëmarrësit kanë sugjeruar disa hapa të menjëhershëm.

“Qeveria e Kosovës duhet të fillojë me hartimin e statutit të Asociacionit/Bashkësisë. Disa thanë se statuti duhet të hartohet brenda katër muajve”, thotë një nga sugjerimet e dalura nga ky takim.

“Duhet diskutuar një model për zgjedhjet në veri në të cilat marrin pjesë serbët dhe të rënë dakord, mundësisht brenda tre muajve”, është një sugjerim tjetër.

Çfarë thanë përfaqësuesit e Kosovës në këtë takim

Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila reagoi në Facebook për këtë takim, duke thënë se “takimet nuk janë sekrete dhe nuk janë negociata”. Lidhur me përmbajtjen e takimeve, ajo tha se “nuk ka asgjë senzacionale”.

““Shumë zhurmë për asgjë” më tingëlloi titulli senzacional për “takimet sekrete” të mbajtura në Zvicër midis përfaqësuesve politik nga Kosova dhe Serbia”, shkroi ajo, duke thënë se organizata amerikane, Council for Inclusive Governance, në mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, “organizon takimet e radhës së dytë, mes përfaqësuesve politik nga Kosova dhe Serbia”.

Të njëjtën gjëra i pohoi edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili tha se në këto raste, palët zakonisht takohen “për të diskutuar çështjet e hapura në mes të Serbisë dhe Kosovës, në linjat e dialogut të Brukselit, por që është më shumë takim rekomandues”.

Ai tregoi se nga takimi i fundit doli një ‘non-paper’, por përmendi vetëm se aty rekomandohet mënyra se si të tejkalohet bojkotimi i institucioneve nga serbët dhe për rolin e Serbisë në këtë.

“Ky Departament punon në rregullat e “Chatham House” ( pjesëmarrësit kanë të drejtë t’i përdorin informatat e takimit por jo edhe të zbulojnë kush çfarë ka thënë), dhe palët takohen sipas një orari për të diskutuar çështjet e hapura në mes të Serbisë dhe Kosovës, në linjat e dialogut të Brukselit, por që është më shumë takim rekomandues, sikur takimi i fundit i mbajtur në Zvicërr që ka dalë me një nonpaper dhe ka rekomanduar mënyrën si të dilet nga kjo gjendje e bojkotit të institucioneve tona nga ana e serbëve të Kosovës dhe rolin e Serbisë në këtë bojkot”, shkroi Haziri.

Ai tha se LDK do të marrë pjesë në çdo tavolinë ku diskutohen çështje të tilla, por shtoi se “negocimi i vetëm mbahet në Bruksel nga ana e kryeministrit, respektivisht Qeverisë së Kosovës”.

Pak a shumë të njëjtat gjëra i tha edhe Ardian Gjini. Nënkryetari i AAK-së tha se “asnjëherë nuk kanë qenë sekrete” këto takime. Tha se raportimi për to ishte “spektakularitet i kotë”.

“Janë takime të cilat mbahen për shumë vite. Edhe pjesëmarrësit kanë qenë të ndryshëm, nga të gjitha partitë parlamentare të Kosovës dhe Serbisë. Asnjëherë nuk kanë qenë sekrete. Në fakt nuk janë takime negociuese. Është spektakularitet i kotë”, tha Gjini të hënën në një prononcim për Gazetën Express.