Njohësit e çështjeve politike në vend kanë mendime të ndryshme sa i përket Asociacionit në Luginën e Preshevës. Sipas tyre, spektri politik në Kosovë e Luginë të Preshevës nuk kanë pasur asnjëherë komunikim për çështje të caktuara, raporton Ekonomia Online.
Kritika kanë edhe për Shqipërinë, pasi thonë se ka qenë cinike ndaj problemit të Luginës.
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, thotë për Ekonomia Online se një kërkesë e tillë është e pamundur pasi shqiptarët atje më shumë “luftojnë” për mbijetesë.
Ai thotë se shqiptarët e Luginës nuk e kanë përkrahjen e Qeverisë siç e kanë serbët e Kosovës atë të Serbisë.
“Ne kemi dëshirë por nuk është mundur sepse ata nuk kanë kapacitete që kanë serbët e Kosovës për ta bllokuar Serbinë siç e bllokojnë serbët Kosovën, e dyta nuk e kanë përkrahjen e Kosovës siç e kanë serbët e Kosovës përkrahjen e Serbisë, ashtu që është një situatë totalisht e debalancuar nga aspekti i së drejtës, moralitetit e me siguri ata e meritojnë të kenë autonomi, sepse janë në zona kompakte dhe janë një popull krejt tjetër prej serbëve, por edhe Bashkësia Ndërkombëtare thjesht i injoron problemet e tyre. Lufta e UÇPMB-së në vitin 2001, nuk rezultoi me ndonjë rezultat dhe sot kemi situatën që atje më shumë luftohet për mbijetesë pra për të mbetur gjallë në ato hapësira, sesa për të zhvilluar një projekt siç është autonomia”, u shpreh ai.
Sipas Krasniqit, edhe shteti shqiptar ka qenë indiferentë sa i përket shqiptarëve në Luginë. Thotë se Presheva më shumë ka qenë e injoruar.
“Nuk ka pas asnjë periudhë sepse ka Kosova ka luftuar për mbijetesën e vet dhe nuk ka qenë në gjendje dhe nuk është as sot që ta ndihmojë. Pra Shqipëria ka qenë indiferentë dhe pothuajse cinike ndaj problemit të luginës së Preshevës, ashtu që në kuadër të asaj që ne e quajmë çështje kombëtare, Lugina e Preshevës është totalisht e injoruar dhe për këtë gjendja e tyre është aq e vështirë”, u shpreh Krasniqi.
Por ndryshe nga Krasniqi, mendon analisti politik, Fidan Ukaj. Ai për Ekonomia Online thotë se institucionet e Kosovës është dashur më herët ta kërkojnë një Asociacion për Preshevën.
Ukaj thotë se është legale dhe legjitime që edhe qytetarët e Luginës së Preshevës të kenë një Asociacion, pasi Serbia ka arritur t’i ketë në disa shtete të rajonit.
“Në fakt një kërkesë për një formim të Asociacionit dhe për komunat shqiptare në pjesën e Serbisë është dashtë të kërkohet që nga fillimi i procesit të dialogut, në vitin 2011, ose që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes së pare, për normalizim të raporteve, ku flitet 6 pika për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pala shqiptare është dashtë të kërkojë një Asociacion të tillë edhe për qytetarët e Luginës së Preshevës. Sigurisht se është legale dhe legjitime që edhe qytetarët e Luginës së Preshevës të kenë një Asociacion ashtu siç po e kërkon Serbia, për qytetarët serb në Kosovë”.
Kritika ka edhe për mungesën e komunikimit ndërinstitucional dhe unifikim të spektrit politik në Kosovë e Luginë. Ukaj thotë se kërkesa është dashur të vijë nga politikanët e Preshevës.
“Mos të harrojmë Serbia ka kërkuar dhe ka arritur të ketë një Asociacion në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë ka shkuar më tutje duke kërkuar një Republikë dhe tashmë e ka Republikën Serpska në Bosnjë dhe tani pritet të formohet një Asociacion në Kosovë dhe mbetet të shihet sa kompetenca do t’i japë Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, grupi menaxhues, që do të formohet dhe me të drejtë edhe Qeveria e Kosovës por edhe Qeveria e Shqipërisë duhet të ndihmojë në këtë drejtim për një kërkesë legale dhe legjitime që edhe qytetarët e Republikës së Preshevës të kenë një Asociacion të komunave të tyre”.
“Mos të harrojmë spektri politik në Luginën e Preshevës fatkeqësisht nuk është i implikuar në kërkesat e tyre dhe unë e shoh si problematikë një gjë të tillë, sepse kërkesat vijnë nga poshtë lart. Sikur të kishim një unifikim të këtij spektri politik atëherë edhe kërkesa do të ishte më e fuqishme, argumentimi do të ishte më i plotë dhe në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, Qeverinë e Shqipërisë, një kërkesë e tillë t’i drejtohej institucioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të ketë një lloj reciprociteti sa i përket formimit të Asociacionit edhe për qytetarët shqiptar, për pjesën ku jetojnë në Luginën e Preshevës”, u shpreh Ukaj.