Kosova dhe Serbia janë larg arritjes së një marrëveshje për targat dhe fillimin e themelimit të Asociacionit ashtu siç kanë kërkuar deri më tani ndërmjetësuesit e BE-së dhe partnerët amerikan.
Edhe takimi i të martës në Bruksel, ndërmjet delegacioneve kosovaro-serbe nuk ka prodhuar rezultate. Përkundrazi, sipas burimeve, janë prezantuar ide të reja nga palët.
Gazeta 10 nga burime ndërkombëtare ka mësuar se “për temat e ngritura në Bruksel rreth kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës, anulimin e vendimit për targat dhe Asociacionin – nuk ka pasur pajtim”.
Po sipas burimit, “të dyja palët nuk kanë shfaqur gatishmëri për asgjë dhe duket që pajtimi është shumë larg”.
Po ashtu, raportohet se “pala kosovare ka shtruar para ndërmjetësve evropian edhe një propozim të ri, si ekuivalente të krjimit të Asociacionit në Kosovë. Bëhet fjalë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare edhe në Luginë të Preshevës”.
Edhe zyrtarisht, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi paraditen e të mërkurës ka konfirmuar në Prishtinë se nuk ka kurrfarë marrëveshje në Bruksel, megjithëse janë diskutuar disa ide e propozime.