Asnjë parti ende nuk ka aplikuar për certifikim në KQZ

E publikuar: 09/01/2021 12:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

14 shkurti është data kur do të mbahen zgjedhje e jashtëzakonshme në vend. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka nisur me përgatitjet për këto zgjedhje si dhe ka vendosur afatet kohore se si do të rregullohet procesi deri në ditën e votimit, shkruan Gazeta Express.

Kështu KQZ’ja dje ka hapur edhe afatin për certifikim të partive politike, afat ky që do të zgjas deri më 16 janar.

Lexo Edhe:
Momenti kur orteku i borës i zë katër alpinistë
Por asnjëra nga partitë politike nuk ka aplikuar deri më tani për certifikim. Këtë e ka bërë të ditur për Express, zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

“Deri në këto momente që po flasim, nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike’’, ka thënë Elezi, për Express.

E afati për aplikim për certifikim të partive politike që do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit sipas Elezit, do të jetë i hapur deri më datë 16 janar, në orën 18:00.

“Subjektet politike, pra këtu përfshihen partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur, mund të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje deri më 16 janar, në orën 18:00. Pra, deri në këtë kohë subjektet politike duhet të sjellin edhe listat e kandidatëve për deputetë’’, ka deklaruar ai.

Ndërsa nga KQZ’ja para ca ditësh u njoftua se dy parti të reja kanë aplikuar për regjistrim.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe i ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për 14 shkurt

“Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”, thuhej në komunikatën e dërguar mediave.

Kujtojmë që deri tek kjo situatë erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi, votë e cila ishte vendimtare për formimin e Qeverisë “Hoti”.