“Asnjë Cent Më Shumë” sot dorëzon padi kundër ZRRE’së për rritjen e tarifave të energjisë

E publikuar: 02/05/2025 08:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Grupi “Asnjë Cent Më Shumë” sot me fillim nga ora 11:00 do të dorëzojë zyrtarisht padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në lidhje me vendimin e fundit për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Shtrenjtimi i rrymës për 16.1 përqind nuk i prek katër komunat veriore.

Në njoftimin për media thuhet se padia do të dorëzohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës – Pallati i Drejtësisë.

“Pas dorëzimit të padisë, përfaqësues të grupit do të japin një deklaratë për media, ku do të shpjegohen bazat ligjore të padisë dhe pasojat që ky vendim i ZRRE-së po shkakton mbi mirëqenien e qytetarëve”, thuhet mes tjerash në njoftim, përcjell Reporteri.net.

Më 11 prill, Zyra e Rregullatorit të Energjisë vendosi që rryma të shtrenjtohet për 16 përqind.

Përmes një njoftimi që patën bërë, ZRrE thoshte se rritja është për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

“Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%”, thuhej në njoftim e 11 prillit.