Pronari i biletës fituese të lotarisë Mega Millions me vlerë 1.5 miliardë dollarë ende nuk është paraqitur, kur kanë kaluar 22 ditë që nga shpallja e fituesit, dhe ka një afat për të kërkuar paratë.
Seth Elkin, zëdhënësi i “Maryland Lottery and Gaming” ka thënë të martën se personi i cili bleu biletën në një shitore në Karolinë të Jugut, është ende një mister, pasi së paku, deri më tani, ai nuk është paraqitur.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, fituesi ka 180 ditë për të marrë çmimin, i cili pritet të skadojë më 21 prill 2019, sipas rregullave të Mega Millions.
Nëse fituesi i tetorit nuk do të kërkojë paratë, ato do të kthehen prapa dhe do të mund të t’i jepen programeve dhe planeve të zhvillimit të Karolinës së Jugut, të financuara nga fitimet e Mega Millions.
Fitimet nga shitjet e biletave të Mega Millions thuhet se shkojnë drejt financimit të arsimit të lartë, programeve të qytetarëve dhe skemave të mbrojtjes së mjedisit.
Fituesi me fat mund të zgjedhë midis marrjes së çmimit si një shumë e përgjithshme prej 878 milionë dollarësh, ose të marrë 1.537 miliard dollarë, në këste për 29 vjet. /Telegrafi/