Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka mbajtur takimin konsultativ me përfaqësues të zyrave
ndërkombëtare për zhvillim dhe të organizatave ndërkombëtare në Republikën e Kosovës.
Sipas një komunikate shtypi, takimi i sotëm shënon një aktivitet të rëndësishëm për regjistrimin e popullsisë, një debat konstruktiv lidhur me finalizimin e përmbajtjes së pyetësorëve të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave 2023. Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për caktimin e datës 1 shtator-16 tetor 2023 si periudhë kur do të realizohet regjistrimit i popullsisë në Kosovë, ASK ka intensifikuar përgatitjet për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Kosovë.
“Dialogu me përfaqësues të zyrave ndërkombëtare për zhvillim dhe organizatave ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, ndikon në arritjen e qëllimit të përbashkët në realizimin e regjistrimit në bazë të praktikave më të mira shtetërore e ndërkombëtare, në përputhje të plotë me rekomandimet ndërkombëtare të OKB-së dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian”.
Sipas njoftimit, Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe përfaqësues të zyrave ndërkombëtare për zhvillim dhe organizatave ndërkombëtare në vend, kanë diskutuar mbi aktivitetet e realizimit të regjistrimit të popullsisë, e me fokus përmbajtjen e pyetësorëve të regjistrimit të popullsisë. Hapjen e takimit e bëri
ud. Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së z. Ilir Berisha, i cili përmendi rolin e regjistrimit dhe të dhënave
statistikore për tërë informacionin zyrtar në Republikën e Kosovës. Ai tutje theksoi që Agjencia e
Statistikave të Kosovës, dhe i gjithë stafi i përshirë në projektin e regjistrimit të popullsisë do të
angazhohen maksimalisht për një proces demokratik të regjistrimit, ku të gjithë personat që jetojnë në
Kosovë, pa e anashkaluar askënd, dhe asnjë pjesë të territorit, do të regjistrohen dhe do të numërohen
zyrtarisht. Gjithashtu, do të grumbullohen të dhënat edhe për diasporën.
Në fund të fjalës së tij të rastit, z. Berisha falënderoi të gjithë përfaqësuesit nga zyrat dhe organizata
ndërkombëtare për kontributin, dhe mbështetjen e tyre për projektin nacional të regjistrimit.
Udhëheqësja e zyrës së UNFPA në Kosovë, znj. Visare Namani-Mujko, në fjalën e saj të rastit foli mbi
rëndësinë e të dhënave të përditësuara statistikore për indikatorë kyq demografik dhe socio-ekonomik.
Të dhënat e regjistrimit të popullsisë do të ndihmojnë në arritjen e përmbushjes së obligimeve për agjendën evropiane për statistikat, dhe arritjen e agjendës globale për 244 indikatorët e Agjendës për
Zhvillimin e Qëndrueshëm, për thuajse dekadën e ardhshme vitin 2030.
Zëvendësshefi i Këshillit të Evropës në Kosovë, z. Tankuz Soykan, tha që regjistrimi i popullsisë është një
aktivitet shumë i rëndësishëm për vendimmarrjen, dhe drejt përmbushjen e kritereve ndërkombëtare
për demokratizimin, sundimin e ligjit, dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ai rekomandoi, që gjatë
implementimit të regjistrimit në vend të aplikohen rekomandimet e dhëna nga Këshilli i Evropës.
Menaxheri i Regjistrimit të Popullsisë, z. Avni Kastrati i njoftoi pjesëmarrësit lidhur me realizmin e
aktiviteteve të regjistrimit, ku në detaje prezantoi përmbajtjen e pyetësorëve të regjistrimit të
popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.
Pjesa e dytë e takimit vazhdoi me diskutim konstruktiv mbi përmbajnë e pyetësorëve të regjistrimit.
Përfaqësues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pranuan propozimet dhe komentet që u adresuan,
në mënyrë që pyetësorët e regjistrimit të popullsisë të jenë sa më kualitativ dhe në përputhje të plotë
me praktikat më të mira shtetërore dhe ndërkombëtare.