Lionel Messi drejt Anglisë? Cristiano Ronaldo mund ta ndjekë. Sipas gazetës “AS” luzitani është objektivi kryesor i Manchester United që planifikon të paguajë 125 milionë Euro për të bindur Realin e Madridit të heqë dorë nga sulmuesi. E përditshmja spanjolle citon mediat britanike duke theksuar se klubi ishullor kërkon me çdo kusht që ish idhulli i tifozerisë së kuqe ta vazhdojë karrierën në “Old Trafford”, aty ku arriti të tregonte aftësitë e tij në futbollin profesionist. Manchester United dëshiron të avancojë në bisedimet me Realin për Cristiano Ronaldon pasi i trembet konkurrencës së Paris Saint Germain që gjithashtu synon afrimin e numrit 7.
Në teori, klubi i Al Khelaifi është rivali më i rrezikshëm i Manchester United që gjithsesi ka një avantazh të madh, dëshirën e sulmuesit për t’u rikthyer në folenë e “Djajve të Kuq” nëse Reali i Madridit vendos ta nxjerrë në shitje. Në Paris, Ronaldo shihet si pasardhësi ideal i Zlatan Ibrahimovic, karriera e të cilit në Europë duket drejt fundit, Shtatlarti suedez e ka planifikuar të ardhmen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Ronaldo synon të luajë edhe për disa vite në nivele të larta. Kontrata aktuale e Cristiano Ronaldos skadon në vitin 2018. Ai përfiton 17 milionë Euro në sezon por paga nuk është problem për Manchester United që planifikon të shpenzojë shuma marramendëse për sulmuesin.