Arsyet (e venitura) të Bashkimit Europian

E publikuar: 10/07/2015 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sergio Rizzo
Duhet të presim pesë vjet që fëmijët tanë (ose ndoshta fëmijët e tyre) të mësojnë se çfarë janë Parlamenti dhe Komisioni Europian? Por, mbi të gjitha, përse ka lindur Bashkimi (kurrë më luftëra në shtëpinë tonë!) dhe cila është historia jonë? Pesë vjet, por bota ndryshon në pesë ditë
Përhapja e frikës “se euro nuk qenkërka e pakthyeshme”. Është kjo, ajo që me përshkallëzimin e krizës greke ka frikë guvernatori i Bankës së Italisë, Ignazio Visco, më shumë se sa efektet te llogaritë tona publike. “Nuk është e pakthyeshme”. Është një term që evokon skenarë trazues, shumë më të këqij sesa mundësia e një daljeje të Greqisë nga monedha e përbashkët. Sepse, nëse euro do të ishte me të vërtetë e pakthyeshme, a mund të ishte vetë Bashkimi Europian?

Edhe pse nuk duam ende të tregohemi të ndërgjegjshëm, është kjo një lojë në ndeshjen mes Athinës, Frankfurtit dhe vendeve të tjera të eurozonës? Dhe ndjesia se po luhet me zjarrin mbi lëkurën e Europës është gjithnjë dhe më e fortë. Përshkallëzimi i toneve me të cilat Aleksis Tsipras paralajmëron një zgjedhje për të dielën që nuk do të ketë kthim prapa, pasi kërkoi para pak ditësh madje edhe dëmet e Luftës së Dytë Botërore, dhe nga ana tjetër akulli i Berlinit përhapin një erë të keqe. E njëjta erë që e ka trazuar kontinentin për shekuj me radhë dhe pikërisht për këtë arsye baballarët themelues krijuan Komunitetin Europian. Duke dekretuar se arsyet për të qëndruar së bashku në paqe janë tejet më të mëdha dhe të rëndësishme sesa ato që e kishin përgjakur deri më tani Europën. Arsye të cilat tani janë venitur me ngritjen krye të egoizmave kombëtarë: si ata të disa vendeve ish-komuniste të mbuluara me kontribute europiane, por që tani po ua përplasin dyert në fytyrë mijëra refugjatëve. Ose të mbytura nga rregullat që e bëjnë Europën një këmishë force të padurueshme. Ose për më tepër, të shtypura nga shtrëngimi i llogarive të shenjta publike, por zbatimi praktik i së cilës nuk parashikon mirëkuptimin. Me rezultatin, ku do të mjaftonte një shkëndijë që të shkrumbonte gjithçka. A e mendon Tsiprasi këtë?

Thellësia që duket se tani i ndan nga Europa edhe më europeistët ka shkaktuar shumë fajtorë. Por kryesorja është injoranca. Nga lindja e CEE kanë kaluar 58 vjet, dhe plot 23 që kur është krijuar Bashkimi. Ekziston edhe një flamur: me ligj valëvitet në fasadën e ndërtesave publike. Por sa qytetarë e dinë me të vërtetë se çfarë përfaqëson?

Le të marrim Italinë. Nuk ka një ligj që të detyrojë nëpër shkolla mësimin e historisë dhe të institucioneve të Bashkimit. Vetëm përpara dy muajsh Departamenti i Politikave Europiane nënshkroi me Ministrinë e Arsimit, Parlamentin e Strasburgut dhe Komisionin e BE-së një “marrëveshje për programin” për të ngritur “një partneritet strategjik me qëllim garantimin për shkollat italiane të Edukatës qytetare europiane”. Mirë. Por horizonti për ta mbushur më në fund boshllëkun nuk ndodhet pranë: qeveria “shpreson” më 2020. Nga ana tjetër, thonë nga Palazzo Chigi, “shumë docentë janë të vakët me nocionet bazë mbi BE-në dhe për rrjedhojë nuk arrijnë të ndërthurin njësi didaktike që lidhen me të në programet e tyre”.

Pra duhet të presim pesë vjet që fëmijët tanë (ose ndoshta fëmijët e tyre) të mësojnë se çfarë janë Parlamenti dhe Komisioni Europian? Por, mbi të gjitha, përse ka lindur Bashkimi (kurrë më luftëra në shtëpinë tonë!) dhe cila është historia jonë? Pesë vjet, por bota ndryshon në pesë ditë. Po të kishte patur vullnet për ta bërë, do të ishte futur me kohë mësimi i institucioneve dhe Historisë Europiane. Ndoshta nëpërmjet njërës prej reformave të shumta të shkollës: që janë përdorur ama për të shkatërruar programet dhe për të zgjidhur problemet e profesorëve në vend të atyre të nxënësve.

Corriere della Sera

Perkthimi: Mapo.al