Arsyeja se pse Murat Jashari nuk duhet të jetë president sipas historianëve

E publikuar: 24/01/2016 21:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, konsideron se Murat Jashari nuk duhet të jetë personi kandidat për kryetarin e ardhshëm të Kosovës.

Përmes një njoftimi për media, historianët thonë se emri i Jasharajve nuk duhet të jetë pjesë e nënshkrimeve të cilat më vonë do të gjykohen nga historia, transmeton kp.

Shkodran Imeraj nga Lidhja e Historianëve të Kosovës, thotë se meqë dihet që presidenti i ardhshëm i Kosovës do të nënshkruaj dokumentet për Gjykatën Speciale, demarkacionin me Malin e Zi, atë me Serbinë, jetësimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe ligje tjerë, që sipas tij, janë të dhimbshme për vendin, Murat Jashari nuk duhet të jetë pjesë e tyre.

“Murat Jashari nuk duhet të jetë kandidat për President të Republikës së Kosovës, kur dihet se Presidenti i ri duhet të nënshkruaj dokumentet si: 1. Gjykata Speciale e Kosovës (fillimin e punës së saj), 2. Demarkacionin me Malin e Zi (i cili ka ndodhur) 3. Demarkacionin me Serbinë (i cili do të ndodhë), 4. Bashkësinë e Komunave Serbe (që do të filloj së funksionuari), 5. E ligje të tjera të dhimbshme. Për arsyet e cekura më lart, mendoj se Murat Jashari nuk duhet të jetë kandidat për President të Republikës së Kosovës, sepse në fund të fundit nënshkrimi i Jasharajave nuk duhet në ndodhë në këto dokumente, të cilat nesër do të gjykohen nga historia dhe historianët”, thuhet në reagimin e Imerajt.

Në njoftim thuhet se Murat Jashari i takon familjes më emblematike të Kosovës, e cila ka dhënë shumë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.

Tani që presidentja Atifete Jahjaga është në ditët e fundit të mandatit e saj si e para e shtetit, është përfolur, jo zyrtarisht, se Murat Jashari mund të jetë kandidat potencial i opozitës së bashkuar për president të Kosovës.