Arsovska: Më sulmuan fizikisht me goditje dhe shkelma

E publikuar: 11/07/2025 20:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Shkupit Danela Arsovska është sulmuar fizikisht gjatë një inspektimi të një objekti përballë stacionit të policisë në Bit Pazar.

Pas sulmit, Arsovska u pranua shkurtimisht në spitalin “8 shtatori”. Para spitalit tha se I gjithë incidenti kishte ndodhur në prani të policisë.

“Më sulmoi fizikisht duke më rrahur, goditur, shkelmuar, para syve të Ministrisë së Brendshme. Kërcënime të rendit më të ulët, me dhunim, për mua, familjen, para veshëve dhe syve të policisë. Në vend që të ndalohej menjëherë, atij iu lejua më shumë se gjysmë ore të thërriste njerëz, miq, të fliste, të tregonte , çfarë do të më bënte, me zë të lartë, çfarë do të më bënte mua, çfarë do t’i bënte familjes sime”, tha Danela Arsovska Kryetare e Qytetit të Shkupit.

Incidentin e ka konfirmuan Ministria e Brendshme

“Më 11.7.2025 në orën 12:15 nga A.J. në MPB është raportuar se gjatë kryerjes së detyrave të punës në rrugën Kumbara, është sulmuar fizikisht Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, dhe se disa persona kanë bërë kërcënime verbale ndaj saj”, thonë nga MPB.

Sulmi ndaj Arsovskës u dënua edhe nga kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu. Arsovska më parë informoi se vazhdimisht merrte kërcënime me jetë pikërisht për shkak të inspektimit të objekteve ilegale dhe sulme të tilla verbale u denoncuan në polici, shkruan Alsat.mk.

Në lidhje me sulmin fizik ndaj kryetares së Qyteitt të Shkupit, Danela Arsovska, ka reaguar dhe Komiteti i Helsinkit. Ata kërkojnë hetim të shpejtë, të pavarur dhe padi ndaj të dyshuarve.

“Komiteti i Helsinkit kërkon hetim për punonjësit policor që nuk e kanë penguar sulmin ndaj kryetares Arsovska”, reagoi Komiteti i Helsinkit, duke shtuar se “fuqishëm e dënon sulmin fizik dhe verbal ndaj Arsovkës”.

Ata theksojnë se Arsovska në atë moment ishte gjatë një kontrolli zyrtar në një objekt ndërtimi ilegal.

“Veçanërisht, shqetësues është fakti që sulmi ka ndodhur para syve të punonjësve policor, të cilët, sipas deklaratës së kryetares, nuk kanë marrë masat e duhura për mbrojtjen e saj, edhe përkundër kërcënimeve serioze për jetën e saj dhe sigurinë e familjes së saj”, deklaruan nga Komiteti, duke kërkuar përgjegjësi për policët.

Ndërkohë, siç raporton KosovaPress, Bashkimi Demokratik për Integrim ka dënuar ashpër sulmin ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, i ndodhur gjatë ushtrimit të detyrave të saj zyrtare në territorin e Komunës së Çairit.

“Aktet e dhunës, sulmet verbale dhe përpjekjet për të penguar zyrtarët institucionalë në kryerjen e obligimeve të tyre përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit demokratik dhe funksionimit të shtetit ligjor. Pavarësisht përkatësisë politike apo pozitës institucionale, asnjë zyrtar nuk duhet të jetë objekt i linçimit publik apo agresionit fizik dhe verbal. BDI e konsideron këtë akt të turpshëm dhe të papranueshëm, dhe u bën thirrje organeve kompetente që të reagojnë menjëherë, të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët, në përputhje me ligjin. Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të mbrojë rendin kushtetues, integritetin e institucioneve dhe bashkëjetesën demokratike në vend”, thuhet në reagim.