Arsenali siguron shërbimet e talentit Yacine Adli të PSG

E publikuar: 06/06/2018 21:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arsenali e ka transferuar mesfushorin 17-vjeçar, Yacine Adli, për një shumë kompensuese prej 223.000 funtesh (254.130 euro) – bën të ditur Goal.

Talenti francez ka refuzuar vazhdimin e kontratës me Paris Saint-Germainin, pasi shërbimet e tij i kishte kërkuar trajneri i ri i Topçinjve, Unai Emery.

Raportohet se Adli ka nënshkruar kontratë trevjeçare me Arsenalin me opsionin për të vazhduar edhe dy vite të tjera.

Si një mesfushor ofensiv, ai ka luajtur për skuadrat e Francës U16, U17 dhe U18, duke shënuar 13 gola në 23 paraqitje.

Zyrtarizimi i Adlit te klubi nga Emirates pritet të ndodhë në ditët në vijim së bashku me transferimin e Sokratis Papastathopoulos nga Borussia Dortmundi.

Kujtojmë se gjatë të martës, Arsenali e transferoi Stephan Lichtsteinerin nga Juventusi.

Mbrojtësi i djathtë i Zvicrës kaloi në Emirates me parametrat zero. /Telegrafi/