Kur Isa Mustafa kishte thënë gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara lokale se Prishtinën do ta fitonte me duar në xhepa, nuk e kishte menduar se po bënte një deklaratë jo të matur mirë, e cila në vend se t’i ndihmojë, mund ta fundos. Në këtë mënyrë, Mustafa po shprehte gjithë arrogancën e epërsisë së numrave, në një bastion të LDK’së çfarë ishte Prishtina.
Katër vjet më pas, rezultati i zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit i shfaqi zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje pothuajse në të njëjtën situatë. Dyfishimi i votave në nivel qendror bëri që ata të bien nën ndikimin e arrogancës së numrave, duke ua krijuar sigurinë se njësoj mund të ndodhte me rezultatet edhe në zgjedhjet lokale. Por, arroganca nuk kalon.
Askush me mendje të shëndoshë nuk pret që rezultati i zgjedhjeve nacionale “të përkthehet” edhe në votë lokale. Zgjedhjet për kryetarë komunash e kuvende komunale kanë të tjera specifika dhe njerëzit votojnë bazuar në të tjerë parametra.
Zyrtarë të lartë të VV’së kanë pranuar se kanë pritur tjetër rezultat, si vazhdim i frymës së fitores të krijuar më 11 qershor. Por ata, ashtu si dhe lidershipi i partive të tjera duhet të reflektojnë seriozisht dhe të vlerësojnë se pse qytetarët votuan në këtë mënyrë dhe nuk i përmbushën pritjet e tyre. Entuziazmi, pa i bërë mirë llogaritë, nuk bën punë në zgjedhje.
Nëse krahasohen me zgjedhjet lokale të vitit 2013, rezultatet e 22 tetorit tregojnë dyfishim të votës së VV’së. Por, marrë parasysh frymën e ndryshimit, të krijuar nga kjo parti tre muaj më parë dhe pamundësinë që ajo të materializohet edhe në votë në zgjedhjet e së dielës, kjo parti ka arsye të fortë të dëshpërohet.
* * *
Të gjitha partitë politike rezultatin e zgjedhjeve të 22 tetorit po e paraqesin si fitore. Si është e mundur që paskan fituar të gjithë, në një garë të ashpër ku vetëm fitues absolutë nuk mund të ketë? Si ka mundësi që këto parti nuk marrin përgjegjësi për rezultatet, por përpiqen t’ia shesin opinionit si fitore humbjet që janë evidente? Kjo është arrogancë e pastër, e cila gjithsesi do të ndëshkohet. Qytetarët më nuk po e “shesin” lirë votën e vet dhe kjo duhet të jetë sinjal i qartë për partitë politike që të ndërrojnë qasjen në raport me ta.
Kur flitet për fitues në zgjedhjet lokale zakonisht përmenden qytetet e mëdha të vendit, ngase konsiderohen si kala të vështira dhe të rëndësishme për t’u mbajtur e pushtuar. Kështu, do të ishte humbje e pariparueshme për VV’në po që se nuk ia del të fitojë edhe një mandat në Prishtinë, një humbje që nuk do të mund ta kompensonte as fitorja në cilëndo komunë tjetër të Kosovës.
Humbje e madhe për PDK’në do të ishte po që se nuk ia del ta mbajë Prizrenin, ndërkaq fitorja e LDK’së do të vulosej vetëm po që se ia del ta kthejë Prishtinën.
Për AAK’në çdo komunë e fituar përtej atyre që i ka pasur në menaxhim do të konsiderohej sukses, ndërkohë që për partitë e vogla si AKR, Nisma e Alternativa, fitoret në Mitrovicë, Malishevë, respektivisht në Gjakovë janë beteja “për jetë a vdekje” dhe që determinojnë të ardhmen e këtyre tri subjekteve.
* * *
Partitë politike përpiqen të zgjedhin kandidatët sa më të mirë për të marrë udhëheqjen komunale. Por, rezultati i 22 tetorit tregon se kishte goxha huqje në kandidime. Nuk ishin të rralla rastet kur kandidatët ishin thuajse të shkëputur nga realiteti i komunave të cilat pretendonin t’i udhëheqin. Në raste të tjera kandidatë të caktuar linin përshtypjen se nuk i kanë hyrë garës me qëllimin që të fitojnë, por vetëm sa për të marrë pjesë. Kishte edhe nga ata që nuk ofronin alternativa qeverisëse, por gjithë ofertën e tyre e mbështetnin në kritika për punën ose mospunën e kryetarëve aktualë.
Qytetarët presin që kandidatët për komuna t’i shohin teksa i ballafaqojnë argumentet publikisht. Ikja nga debatet nuk është strategji, as mençuri, por vetëm arrogancë. Rasti i zyrtarëve të koalicionit PAN në fushatën e zgjedhjeve nacionale tregon më së miri se si e sa kushton kjo qasje.
Qytetarët më 22 tetor e kanë ndëshkuar arrogancën, çfarëdoqoftë ajo. Por, edhe e kanë vlerësuar punën e bërë nga të zgjedhurit e tyre. Rezultati i 22 tetorit është ai real i zgjedhjeve, ndërkaq balotazhet do të prodhojnë një rezultat të pazareve e interesave nga më të ndryshmet. Sidoqoftë as më 19 nëntor, sikurse më 22 tetor, arroganca nuk mund të kalojë.