Arrihet marrëveshja për tabelat e veturave

E publikuar: 19/10/2016 21:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për reciprocitet në kuadër të lëvizjes së lirë, e cila do të heqë nga përdorimi tabelat prova të cilat njëanshëm janë aplikuar nga ana e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Të dyja palët sot, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë treguar gatishmëri për zbatimin e kësaj marrëveshje.

Në këtë takim, kryenegociatorja, ministrja Edita Tahiri, prezantoi progresin në përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes për reciprocitet në kuadër të lëvizjes së lire, duke theksuar se së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme janë duke punuar intensivisht për t’i realizuar obligimet zbatuese në raport me këtë marrëveshje, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

Edhe pala serbe konfirmoi gatishmërinë për zbatimin e marrëveshjes si dhe paraqiti progresin në procesin përgatitor për implementim.

Pas diskutimeve rreth pajisjes së veturave me letër ngjitëse që do të vlejnë për të dyja palët, BE-ja kërkoi që të dyja shtetet të marrin përsipër që pajisja e veturave me këso letra të bëhet pa pagesë, çka nënkupton se qeveritë e të dyja shteteve duhet t’i marrin përsipër shpenzimet për prodhimin e tyre.