Është arritur marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave të produkteve medicinale mes Kosovës dhe Serbisë, pas komunikimit që të dy palët ia kanë bërë Bashkimit Evropian me të cilën kanë konfirmuar pranimin e marrëveshjes për këtë çështje.
Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, me këtë rast theksoi se kjo marrëveshje ka rëndësi sepse mundëson normalizimin e tregtisë në fushën e produkteve medicinale mes dy vendeve gjë që është arritur përmes njohjes reciproke të Certifikatave të Produkteve Medicinale (CPP) mes dy shteteve. Marrëveshja në fjalë nënkupton që barnat e prodhuara në Serbi të cilat deri tani janë vënë në qarkullim në Kosovë pa iu nënshtruar procedurave të regjistrimit, tash e tutje do t’i nënshtrohen këtij procesi dhe do të plasohen në tregun e Kosovës në përputhje me legjislacionin në fuqi të vendit tonë. Gjithashtu prodhuesve në Kosovë iu mundësohet plasimi i prodhimeve të tyre në tregun e Serbisë. Si rezultat i pranimit reciprok të Certifikatës së Produktit Farmaceutik (CPP), secili bar/medikamentë për të cilin bëhet aplikacion do të realizohet regjistrimi në vendin tjetër.
Sikurse që ju kemi njoftuar më herët, gjatë bisedimeve në Bruksel që u zhvilluan me 21 maj 2015 me palën serbe të ndërmjetësuar nga BE, u arrit pajtimi në parim për njohjen reciproke të certifikatave të produkteve medicinale mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa konfirmimi i pranimit është bërë gjatë kësaj jave përmes shkresave elektronike që të dyja palët ia kanë dërguar Bashkimit Evropian, respektivisht ndërmjetësit të BE-së Alexis Hupin. Për zbatimin e kësaj marrëveshje është kompetente Ministria e Shëndetësisë, respektivisht Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) e Republikës së Kosovës.