Në ambientet e qendrës më të madhe tregtare në Evropën Juglindore, “Prishtina Mall” është nënshkruar marrëveshja më e madhe strategjike e financimit ndërmjet International Finance Corporation (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore dhe Prishtina Mall, e cila kap shifrën 75 milionë euro, raporton KosovaPress.
Ky bashkëpunim forcon bazën financiare të Prishtina Mall, duke mundësuar rritje të qëndrueshme afatgjate, inovacion dhe përmirësim operacional. Financimi do të luajë gjithashtu një rol kyç në përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të sistemeve të saj.
Kryeshefi i Bordit të Prishtina Mall, Fatmir Zymberi deklaroi se mbështetja financiare prej 75 milionë eurosh nga IFC-ja e shndërron Prishtina Mall në një projekt të suksesshëm. Ai potencoi se Prishtina Mall krahas aspektit financiar, përfiton edhe nga eksperienca e tyre.
“Sot, realisht e kemi një kontratë, e cila është kredia më e madhe që është dhënë ndonjëherë në sektorin privat – 75 milionë euro, por me mundësi edhe më shumë, vetëm a kemi projekte këtë pjesë e kemi diskutuar dhe sot fillon bashkëjetesa me IFC-në në mënyrë zyrtare… Pavarësisht që ne ishim mirë të konsoliduar kur filluam bashkëpunimin me IFC, e pamë që kemi shumë nevojë që konsolidimi ynë të bëhet më gjeneroz, më i përsosur dhe më i lehtë për të funksionuar. Prishtina Mall dhe unë lirisht mund të them sot, se ky rrugëtim që ka ardhur deri këtu, vërtet, financat janë të mirëseardhura për zhvillimin, eksperiencën dhe qëndrueshmërinë e këtij biznesi, është vlera më e madhe se vetë financimi dhe kjo bashkëjetesë që ne do të kemi e garanton Prishtina Mall, që nuk është i varur nga Fatmiri, nga bashkëpunëtorët e mi e aksionarët në Prishtina Mall, pasi Prishtina Mall varet nga shtyllat e veta, suksesi i vet… Kjo tregon se Prishtina Mall është një projekt i suksesit qindravjeçar”, tha ai.
Zymberi pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se rreth 75 milionë eurot që janë financim nga IFC do të ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj kompanie, përfshirë energjinë e gjelbër dhe digjitalizimin, raporton KosovaPress. Zymberi ftoi bizneset e sektorit privat në vend që të lidhin ura bashkëpunimi me IFC-në.
“Ky bashkëpunim do të jetë niveli. Prishtina Mall do të jetë në një nivel tjetër që do të thotë ka fokus të veçantë në energjinë e gjelbër me rrjetin për prodhimin e energjisë, sepse Prishtina Mall është shpenzues i madh i energjisë elektrike, digjitalizimit, por edhe pjesa e zhvillimit tutje. Prishtina Mall është ende në gjysmë rruge duke u zhvilluar kështu që ky proces e do edhe një bashkëpunim shumë më të fortë financiar për të bërë një projekt të tillë shumëvjeçar të qëndrueshëm”, tha ai.
Zyrtari i lartë i International Finance Corporation (IFC) për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Visar Perani tha se ky bashkëpunim është dëshmi se Banka Botërore dhe IFC si pjesë e saj ka besim në sektorin privat në Kosovë.
“Është rekord shumë dhe është një financim më i madh, po shpresojmë që do të kemi financime të tjera të mëdha në Kosovë. Tash, bashkëpunimi mes IFC dhe Prishtina Mall dëshmon që IFC dhe Banka Botërore ka besim në sektorin privat në Kosovë dhe po shpresojmë qe me disa kompani qe jeni këtu do të bashkëpunojmë edhe në mënyra të tjera. Dhe ne jemi më se të hapur për t’iu ndihmuar. Përveç financimit… përvoja që e sjellim ne përmes këshillimeve është po aq e rëndësishme… Bashkërisht me kolegët e mi qe nuk janë këtu prezent, por që merren më çështje të këshillimeve, kemi bërë një plan të mirë të projektit sa i përket qeverisjes korporative”, theksoi ai.
Kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Mall”, Alvaro Costa tha se me financimin nga IFC-ja, Prishtina Mall përveç se do të forcohet financiarisht, ajo do të ndihmojë një të ardhme të qëndrueshme dhe digjitale.
“Tani po hyjmë në një fazë të re në jetën e Prishtina Mall, një fazë që jo vetëm që na siguron dhe na forcon financiarisht, por gjithashtu na ndihmon të tërheqim qiradhënës të rinj dhe të lëvizim drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe digjitale. Jemi shumë optimistë për këtë zhvillim. Marrëveshja me IFC-në, gjithashtu, na lejon të mbajmë ose më saktë forcon standardet tona të larta në qeverisjen korporative, etikën e biznesit dhe integritetin, vlera këto që kanë qenë në zemër të operacioneve të Prishtina Mall që nga fillimi. Po ecim përpara edhe në këtë drejtim. Përfundimisht, kjo na mundëson të udhëheqim agjendën e gjelbër në rajon. Është përgjegjësia jonë të përmirësojmë praktikat tona ESG, të përfitojmë nga to dhe gjithashtu të sigurojmë që komuniteti ynë të përfitojë nga të gjitha praktikat e reja që po prezantohen përmes kësaj mundësie”, tha ai.
International Finance Corporation (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh zhvillimor global që fokusohet ekskluzivisht në sektorin privat në vendet në zhvillim.
IFC bashkëpunon me biznese dhe qeveri në mbarë botën për të nxitur investime private, krijuar tregje dhe promovuar rritje ekonomike të qëndrueshme.
Përmes investimeve, shërbimeve këshilluese dhe partneriteteve, IFC mbështet krijimin e vendeve të punës, inovacionin dhe kalimin drejt ekonomive më të gjelbra dhe gjithëpërfshirëse. /kp/

















