Arrestohet pronari i lokalit në Malishevë ku u helmuan 63 persona

E publikuar: 14/10/2023 09:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbrëmëu u raportua në media se 63 persona u helmuan nga ushqimi në një lokal “Fast Food” në Malishevë.

Ndërsa sot Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar pronarin e lokalit në fjalë.

“Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”- thuhet në raportin e Policisë.

3 nga 63 të helmuarit janë dërguar në QKUK-për trajtim të mëtejmë.

Raporti i plotë:

“PRODHIMI, VËNIA NË QARKULLIM E ARTIKUJVE TË DËMSHËM USHQIMOR – Rr. Abdyl Mazreku-Malishevë,13.10.2023-16:48. Nga QKMF –Malishevë është raportuar se nga ora 16:48 e datës së lartcekur e deri në mesnatë ndihmë mjekësor kanë kërkuar rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi nga një lokal ushqimor në Malishevë, ndërsa tre prej tyre janë dërguar në QKUK-ë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Për gjendjen e pacientëve, detaje ka dhënë Komuna e Malishevës. Pacientët të cilët po trajtohen në Infektivë, janë vizituar mbrëmë nga Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Hajdin Berisha, i shoqëruar nga drejtori i QKMF-së, Afrim Krasniqi dhe asamblistët Valon Mazreku dhe Halil Morina

“Gjendja e pacientëve të helmuar, aktualisht është stabile dhe situata është në kontroll dhe e menaxhueshme. Sipas drejtorit Berisha, bazuar edhe nga të dhënat e klinikës, gjendja e pacientëve është stabile dhe janë duke u trajtuar nga personeli i klinikës. Aktualisht në Klinikën Infektive janë të shtrirë 12 pacientë, ndërsa numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Malishevë është 39. Te gjitha ekipet relevante janë të mobilizuar për menaxhimin e situatës dhe personeli shëndetësor në QKMF është në gatishmëri të plotë për të ofruar shërbimet e nevojshme.”