Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar mbrëmë një zyrtar policor me detyrë në Njësinë Speciale Operative, si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Me vendim të prokurorit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Në kuadër të veprimeve hetimore dhe me autorizim të organeve të drejtësisë, hetuesit e IPK-së kanë kryer edhe bastisje në objektin e banimit në Vushtrri ku jeton i dyshuari”, njoftoi IPK-ja përmes një komunikate për media.
Hetimi ndaj zyrtarit policor i cili dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
“IPK në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e të njëjtit. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast”, tha IPK-ja.

















