Është arrestuar personi i cili theri me thikë tre policët në lagje “Dardania” në Prizren.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Shaqir Bytyqi përmes një lidhje direkte në Klan Kosova, i cili gjithashtu njoftoi se tre policët janë jashtë rrezikut për jetë.
Ai bëri të ditur se është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku janë gjetur dy bimë që dyshohet të jenë narkotike.
“Të tre policët janë jashtë rrezikut për jetë, njëri është dërguar në QKUK, njëri është ndalur në spitalin e Prizrenit, ndërkaq tjetri është liruar. I dyshuari është arrestuar, një thikë është sekuestruar dhe në konsultim me prokurorin ne kemi bërë bastitjen e shtëpisë për shkak se dyshohet se ai është përdorues i narkotikëve dhe gjatë bastisjes janë gjetur dy të dyshuara si bimë narkotike. I dyshuari tani është në stacion policor dhe është ndaluar për 48 orë”, u shpreh ai.
Tutje, Bytyqi dha edhe disa detaje se si erdhi tek therja e tre policëve, përcjell Klankosova.tv.
“Familjarët e kanë thirrur policinë për asistim, për shkak se një familjar i tyre me thikë në dorë ka qenë agresiv dhe është mbyllur në një dhomë dhe këta janë frikësuar se mos po e lëndon vetën apo të tjerët. Policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe i dyshuari edhe më tej ka qenë agresiv me policinë, në një moment ka tentuar ta sulmojë policinë me thikë, kështu është njoftuar Policia e Reagimit të Shpejtë dhe autoambulanca. Kur policia ka arritur, në tentim për ta vënë nën kontroll të dyshimtin, ai i ka sulmuar me thikë, ku tre prej policëve janë të lënduar”, u shpreh tutje ai.