Arrestohet njeriu që i dërgoi zarfin me bombë ish kryeministrit grek

E publikuar: 28/10/2017 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Greqi është arrestuar një person që dyshohet se është ndër dërguesit e zarfit bombë që shpërtheu dhe plagosi ish kryeministrin Lukas Papademos.
Arrestimi i 29 vjeçarit nga shërbimi anti terror i policisë greke u bë i ditur paraditen e të shtunës.
Pritet që autoritetet të japin më shumë detaje gjatë orëve në vazhdim.
Sipas të dhënave të para, në banesën e tij në një nga lagjet pranë qendrë së Athinës, është gjetur një sasi e konsiderueshme eksplozivi, pistoleta dhe qindra fishekë. Nuk përjashtohet që ai të ketë pasur lidhje edhe me grupe terroriste, si “Komploti i Celulave të Zjarrit”.
I njëjti person dyshohet se ka dërguar zarfa bombë, të adresuara në kancelari të ndryshme europiane, përfshirë zyrën e ish ministrit gjerman të financave, Wolfgang Schauble.
Gjithashtu, dyshohet si personi që në 25 maj të këtij viti, dërgoi zarfin bombë në adresë të ish kryeministrit Lukas Papademos.
Papademos e hapi zarfin ndërsa makina e tij ishte në ecje dhe nga shpërthimi u plagos ish kryeministri si dhe dy nga shoqëruesit e tij. Pas këtij atentati, Papademos u desh të qëndronte për disa muaj në spital.