Shpërthimi i zjarreve në zona të caktuara është kryelajm jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë botën në përgjithësi.
Kuptohet se shpërthimet ndodhën nga temperaturat e larta dhe kushtet atmosferike, por ka dyshime se persona të caktuar e kanë shfrytëzuar këtë situatë, për të krijuar dëme të qëllimshme.
Lidhur me këtë, Policia e Kosovës nëpër kumtesat e saj gjithmonë e ka theksuar se nëse dëshmohet për ndonjë individ se ka kryer një akt të tillë, do të përballet me ligjin.
Ditën e djeshme është raportuar për 2 të dyshuar, por sot është arrestuar edhe i dyshuari i 3-te. Madje për këtë të fundit ka edhe fakte, të cilat e tregojnë të dyshuarin duke vënë flake qëllimisht në një tokë djerinë, rrugës për në Pejë nga Fushë Kosova.
“Policia e Kosovës më datë 03.08.2021, ka pranuar informacionin se në rrugën e Pejës në Fushë Kosovë, fshati Sllatinë gjendët një vatër e zjarrit ku po digjej një pjesë djerrine. Njësiti policor ka reaguar menjëherë në lokacion dhe duke vlerësuar mundësinë e përhapjes së mëtejme të zjarrit ka njoftuar Zjarrfikësit. Zyrtarët policor kanë ndaluar një person të dyshuar, janë ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore, ku në konsultim edhe me prokurorin kompetent është iniciuar rast për procedura të mëtejme.”, thuhet në njoftimin e PK-së.
















