Një prej aleatëve më të ngushtë të presidentes braziliane, arkëtari i Partisë së Punëtorëve, e cila qeverisë Brazilin, Joao Vaccari, ka dhënë dorëheqje, pasi u arrestua nga policia si i dyshuar për përfshirje në veprimtari korruptive në gjigantin e naftës “Petrobras”. Dyzet politikanë të tjerë po hetohen.
Arkëtari i partisë në pushtet, Vaccari, ngarkohet se është një prej përgjegjësve kryesor të hartimit të një skeme të dyshuar, në bazë të së cilës ai ka marrë paratë e pista nga marrëveshjet e fryra mes drejtuesve të naftës dhe firmave të ndërtimit.
President i partisë, Rui Falcao, tha se ai ende kishte besim në arkëtarin e partisë së tij, ndërkohë që javën që lamë pas, qindra mijëra brazilianë kanë protestuar për skandalet e fundit korruptive, në veçanti për skandalin e shumëpërfolur prej vitesh që thuhet të ketë ndodhur në kompaninë shtetërore të naftës.
Arrestimi i Vaccarit do të shtojë presionin e brazilianëve për dorëheqjen e presidentes së vendit, Dilma Rousseff, të kërkuar me protesta të herë pas hershme që prej rizgjedhjes së saj në këtë pozitë katër muaj më parë.
Presidentja Rousseff përpara se të marr pozitën e kreut të shtetit, shërbeu si drejtuese e kompanisë “Petrobras”. Ajo ishte drejtuese e kësaj kompanie edhe gjatë pëeriudhës kur ka ndodhur korrupsioni, por deri më tani nuk ka qenë e implikuar. Ndërkohë që më shumë se 40 politikanë, përfshirë kryetarët e të dy dhomave të kongresit, janë duke u hetuar mbi këtë çështje.
“Çdokush që është përgjegjës për këto krime të rënda, përfshirë këtu edhe ata që kanë ngritur fonde të jashtëligjshme dhe kanë dëmtuar thesarin e shtetit, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare ose partinë në pushtet, është i rrezikshëm për rendin publik”, ka thënë një nga gjyqtarët e këtij rasti, Sergio Moro, i cili vendosi masën e paraburgimit për njërin prej miqve më të ngushtë të presidentes Rousseff.
Policia arrestoi shefin e thesarit të partisë në pushtet në Sao Paulo, derisa ai ishte duke shkuar për një shëtitje në mëngjes. Nga ana tjetër, prokuroria ka njoftuar se ka “prova të mjaftueshme” që Vacccari dhe dhjetëra politikanë e drejtues të kompanive të tjera janë të përfshirë në një prej skandaleve më të mëdha korruptive që ka ndodhur ndonjëherë në Brazil.
Kundërshtarët e presidentes Rousseff kanë kërkuar dorëheqjen e saj, duke thënë se ajo patjetër duhet të ketë njohuri për skemën e ryshfetit, sepse ka shërbyer si kryesuese e Bordit të drejtorëve të “Petrobras” pikërisht në kohën kur korrupsioni ishte në nivelin më të lartë të zhvillimit brenda kësaj kompanie.
“Petrobras” ishte një nga bizneset më të mëdha të naftës në botë deri vitin e kaluar, porse publikimi i skandalit korruptiv që ka ndodhur brenda tij prej vitesh ia ka humbur për disa herë vlerën reale që kishte në treg. Prandaj, gjithnjë e më shumë brazilianë, të cilët ankohen se kanë sistemin shëndetësor dhe arsimin ndër më të pazhvilluarit në Amerikën Latine, nuk duan që Rousseff të vazhdojë mandatin e saj si presidente. Qindra mijëra u mblodhën të dielën nëpër qytete të ndryshme duke i bërë thirrje të dorëhiqet. Më nuk i besojnë!