Policia e Durrësit arrestoi në orët e para të mëngjesit të së shtunës një person, të cilit iu sekuestrua 20 kilogramë lëndë eksplozive tritol.
I ndaluar në këtë operacion është Fatjon Mexhaj, 24 – vjeç lindur dhe banues në Vorë.
Nga hetimet paraprake, burime policore thanë se Mexhaj është person me precedentë të mëparshëm penale.
I lindur në Korrik 1990, ai është vëllai i vogël i Albin Mexhaj, i arrestuar në Janar të vitit 2014 bashkë me vrasësin me pagesë, Julian Sinanaj.
Mexhaj akuzohet se i ka shitur 4 pistoleta dhe një jelek antiplumb Ndriçim Gjokonës, që ishte personi që siguronte armët edhe për Julian Sinanaj.
Ata u ndaluan në Janar të vitit 2014, pas rrëfimit që bëri në polici i penduari Ndriçim Gjokona.
Në Tetor të vitit të kaluar, Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet dhe dorëzoi në Gjykatë dosjen penale ndaj 7 të pandehurve, të akuzuar për 2 vrasje dhe 3 atentate, dy prej të cilëve me eksploziv, në Vlorë dhe Tiranë.
Për këto ngjarje, janë nën akuzë: Julian Sinanaj, Ndriçim Gjokona, Alban Mexhaj Andon dhe Genis Mëhillaj, biznesmeni Ilir Karçini dhe Marjon Mitro./Tv Klan/