Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugovën. Kështu ka bërë të ditur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti.
Ai gjatë seancës së Kuvendit ku po raportonte kryeministri Hoti, tha se kanë marr lajmin që kreu i Istogut së bashku me nënkryetarin e Komunës dhe një zyrtar tjetër janë arrestuar për shkak të falsifikimit të dokumenteve dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Nuk di se si mund të mbyllet ky raportim me një lajm para 15 min që e morëm që është arrestuar kryetari i Istogut, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, së bashku me nënkryetarin dhe një zyrtar për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Unë mendoj se kjo i përmbys të gjitha ato që i thatë dhe kjo është ëmbëlsira e kësaj nate dhe dua të ju uroj një natë të mirë dhe të qetë”, tha ai.
Rastin për KosovaPress e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Mund të konfirmojmë se hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) më, 09.10.2020 kanë intervistuar tre persona në cilësinë e të dyshuarve, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale: ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘konflikti i interesit’ dhe ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar’”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
Të dyshuarit, pas intervistimit me vendim Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, ju është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.


















