Është arrestuar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Burime brenda Prokurorisë kanë konfirmuar për Klan Kosovën se Ademi është arrestuar në orët e mbrëmjes.
Kujtojmë se gjatë ditës u raportua se kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e ka sulmuar fizikisht drejtorin për marrëdhënie me jashtë brenda FFK-së, Artan Govorin.
Por, një gjë të tillë, Ademi e ka mohuar duke thënë se nuk e ka sulmuar Govorin dhe se vetëm kanë debatuar.
“Nuk është aspak e vërtetë ajo që po aludohet për ekses dhe për asnjë prekje fizike, thjesht ishte një debat për punët e përditshme në federatë. Për këtë ka dëshmitarë brenda federatës”, ka shkruar Ademi në llogarinë e tij në Facebook gjatë ditës.
Ndërsa, arsyeja e sulmit, sipas Govorit, është një fotografi ku ai shihet me një ish-punëtor të FFK-së, e për të cilën fotografi thotë se është bërë nga njerëzit e Agim Ademit.
“Pra, dikush nga personat të cilët i paguan Agim Ademi bënë këtë foto dhe ja dërgon Agim Ademit, pastaj ai (Agim Ademi) ma dergon mua (si një dëshmi që kinse unë po takohem me kundërshtar të tij)”.
“Kjo dëshmon që ne jemi të privuar nga liria e lëvizjes edhe jashtë institucionit ku punojmë,ndërsa brenda institucionit jemi të nënshtruar ndaj anarkisë totale të Agim Ademit”, ka shkruar Govori në llogarinë e tij në Facebook pak orë më herët.