Arrestohet i dyshuari i tretë për grabitjen e argjendarisë në Suharekë

E publikuar: 26/11/2023 13:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Personi i tretë i dyshuar për rastin e grabitjes së një argjendarie në Suharekë është arrestuar.

Një gjë e tillë është bërë e ditur për media nga prokurorja e rastit, Ervehe Gashi.

“Është e vërtetë, është arrestuar edhe personi i tretë. Detaje të tjera s’ka, jam në pritje të kallëzimit penal, në mënyrë që të vendosim se a do të ketë për këta persona kërkesë për caktimin e paraburgimit”, ka deklaruar ajo.

Seanca ku do të vendoset për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve pritet të mbahet sot.

Rasti është duke u hetuar nga Departmenti i Hetimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Dy persona të tjerë ranë në prangat e policisë gjatë ditës së djeshme, ku besohet t’i kenë ndihmuar të tjerëve për kryerjen e veprës penale.

Argjendaria në qendër të Suharekës u plaçkit këtë javë të mërkurën pasdite, nga persona të armatosur, të cilët qëlluan drejt policëve kështu duke plagosur një nga ta.