Arrestohet grabitësi i karburanteve, punonjës i Gardës

E publikuar: 18/10/2016 10:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Forcat e komisariatit të policisë numër 2 në kryeqytet kanë bërë të mundur gjatë orëve të natës të vënë në pranga një person, i cili dyshohet të jetë autor i grabitjes së disa karburanteve.

Policia bën të ditur se personi i vënë në pranga është shtetasi Geraldo Guci, 21 vjeç, banues në Tiranë, i cili rezulton të jetë edhe punonjës i Gardës së Republikës.

Sipas policisë, 21-vjeçari i arrestuar dyshohet të jetë autor i grabitjes së 4 karburanteve nën kërcënimin e armës.

Në cilësinë e provave materiale, policia i sekuestroi të arrestuarit një aparat telefonik i tipit “iPhone 6”, i vjedhur më datë 16.10.2016, shtetasit H. S; një automjet i tipit “Mercedes Benz”, TR8483P, ku në brendësi të saj u gjendën: Tre gëzhoja pistolete model 54, si dhe dy fishekë automatiku model 56.

Një ditë më parë, policia publikoi pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë gjatë grabitjes së një pike karburanti.

Autori dukej i maskuar me kapuç në kokë dhe me një shami në fytyrë, i vetëdijshëm se po filmohet nga kamerat e sigurisë dhe nën kërcënimin e armës ai ka arritur të marrë në të 3-ja rastet xhiron ditore.

Rasti i fundit ishte ai i mbrëmjes së të dielës kur grabiti për të dytën herë po një pikë karburanti në zonën e Selitës, ku përveç shumës prej 8 mijë lekësh ai arriti të grabiste edhe një celular iPhone 6.