Policia e Kosovës ka arritur që ta arrestojë edhe personin e tretë të dyshuar për veprat penale “marrje e dhënie ryshfeti” dhe “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Sipas policisë, gjatë hetimeve të mëtutjeshme është kuptuar se personat e arrestuar më herët, (A.R.) dhe (M.D.) nuk njihen mes veti dhe për kryerjen e kësaj vepre kanë pasur një person tjetër si ndërmjetësues, i cili është identifikuar si i dyshuari i tretë dhe për të cilin hetuesit janë vënë në kërkim dhe identifikim të tij.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore -Gjilan, ka kryer veprime hetimore/operative për disa muaj duke arritur të sigurojë dëshmi se i dyshuari me iniciale (A.R.) shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriut, dyshohet se është regjistruar si shtetas i Republikës se Kosovës në Komunën e Vitisë në mënyrë të kundërligjshme”.
“I dyshuari i lartcekur (A.R.) është regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile, nga zyrtari i gjendjes civile (M.D.) në Komunën e Vitisë dhe është pajisur nga sistemi elektronik i gjendjes civile me dokumente personale (certifikatë, ekstrakt të lindjes dhe letërnjoftim). Gjatë hetimeve i dyshuari (A.R.) është kuptuar se me rastin e regjistrimit si shtetas i Republikës së Kosovës kishte paguar shumën prej 10000,00 (Dhjetë mijë euro). Të dyshuarit e lartcekur me iniciale(A.R.) dhe (M.D.), janë arrestuar me datën 27.04.2023”.