Biznesmeni Aziz Tafaj është arrestuar para pak çastesh. Burime të Indeksonline kanë thënë se biznesmeni Tafaj dyshohet për mashtrim me rreth 400 mijë euro të një biznesmeni italian.
Po ashtu këto burime thonë se mbi Tafajn rendojnë edhe akuza tjera për keqpërdorim dhe mashtrim.
Të kujtojmë se në tetor të vitit të kaluar policia i ka arrestuar tre persona lidhur me problemet e pronësisë në kompaninë AgroKosova Holding (NBI Suhareka).
Të arrestuarit ishin dy bashkëpronarët e ndërmarrjes, Aziz Tafaj dhe Roberto Migoto si dhe Shaban Tafaj, vëlla i Azizit.
Të tre ishin arrestuar pasi patën provuan të hyjnë me forcë në mjediset e ndërmarrjes AgroKosova Holding, duke sulmuar pjesëtarët e sigurimit të ndërmarrjes dhe nuk u janë bindur urdhrave të policisë.
Tash e disa vjet aksionarët në këtë fabrikë kanë pasur telashe dhe kanë vazhduar betejat ligjore. Së fundmi gjykata ka njohur si pronar të kompanisë aksionarin më të madh në të, italianin Gianfranko Fantinel, dhe jo dy partnerët e tjerë italianin Migato dhe kosovarin Tafaj.
Ndërmarrja për kultivimin dhe prodhimin e rrushit NBI Suhareka ishte privatizuar në vitin 2006. Sipërmarrësi italian Fantinel kishte në pronësi 70% të aksioneve. /Indeksonline/