Arrestohet bibliotekisti që nuk doli në vendin e punës dhe u pagua, në pranga edhe zyrtari që s’e lajmëroi

E publikuar: 15/01/2026 20:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjilan, gjatë zhvillimit të hetimeve në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente njofton se ka siguruar prova të besueshme dhe të dhëna zyrtare për përfshirje të dy personave të dyshuar në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas veprimeve të ndërmarra dhe provave të siguruara dyshohet se “i dyshuari mashkull kosovar i caktuar si bibliotekist në një shkollë, me kontratë pune për kohë të pacaktuar, për një periudhë kohore nuk është paraqitur në vendin e punës, në ndërkohë që ka përfituar paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës”.

“Në periudhën kohore prej vitit 2023 e deri në Tetor të vitit 2025, i dyshuari i lartcekur ka dëmtuar buxhetin në vlerë prej 19,067.69 euro, me ç ‘rast ka shkaktuar veprën penale të “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” i KPRK-së.” – thuhet në njoftimin e PK-së.

Ndërsa i dyshuari i dytë mashkull kosovar, “në cilësinë e personit zyrtar, nuk ka raportuar mungesën e të dyshuarit në punë pranë autoriteteve kompetente, duke mundësuar kështu vazhdimin e pagesave pa bazë ligjore, me ç ‘rast i njëjti po ashtu ka shkaktuar veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.” – njofton PK.

Të dy të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në prezencën e avokatëve dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.