Ka marrë fund arratia e dy vëllezërve, Arbion dhe Alban Aliko, dy të rinjtë nga Lazarati, që janë të dyshuarit kryesorë të policisë për vrasjen e efektivit të forcave të RENEA-s, Ibrahim Basha.
Forcat e Policisë kanë bërë të mundur rrethimin e dy vëllezërve në fshatin Kardhiq, rreth 20 kilometra larg fshatit Lazarat. Të mbetur pa rrugëdalje, dy të rinjtë nuk kanë bërë rezistencë dhe janë prangosur nga një patrullë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Raportohet se arrestimi i tyre është bërë edhe falë ndërhyrjes së babait të të rinjve, Adil Aliko.
Autoritetet besojnë se Arbion dhe Alban Aliko ishin organizatorët e “grupi të zjarrit” që vrau efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha dhe plagosi dy të tjerë, kishte gjashtë muaj që përgatitej për të sulmuar forcat e Policisë së Shtetit, raporton Tch.
Sipas përmbledhjes së ngjarjes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, qëllimi i këtij grupi ishte rikthimi në gjendjen e mëparshme në fshatin Lazarat, ku të krijohej mundësia për kultivimin e lëndës narkotike.
Një fakt i ri që bëhet i ditur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është se, në automjetin e Xhuliano Malos, ndaj të cilit gjykata vendosi ditën e shtunë masën e sigurisë “arrest me burg”, krahas armëve dhe municioneve, kishte edhe një sasi kokaine.
Në automjet janë gjetur një armë automatik, një pushkë model 63, një pushkë tjetër model 56, tre gëzhoja të fishekëve model 56, një ndezës, një granatë e armatosur, një thes “lino” mbushur me fishekë të kalibrave të ndryshëm, një kasetë fishekësh me disa krehëra, katër kallëpe tritol, disa fishek 12.7 mm, dy radio komunikimi dhënëse e marrëse, tre aparatë celularë dhe tre qese farmaceutike me lëndë të dyshuar si kokainë.
Sipas Prokurorisë, para mbërritjes së efektivëve të RENEA-s, rreth orës 02.30 të 24 qershorit, është qëlluar me armë drejt forcave të FNSH-së që ishin në shërbim në zonë. Ngjarja është shënuar në vendin e quajtur “Kazinoja e Abaz Rabit” dhe “Kryqëzimi i Përroit të Kordhocës”, ku ata janë qëlluar me armë zjarri nga drejtimi i qendrës së fshatit Lazarat. Edhe një tjetër grup i FNSH-së, njoftoi rreth orës 04.44 se ka pasur edhe më pas të shtëna me armë nga qendra e fshatit.
Vetëm rreth orës 09.00 nisi operacioni i repartit të RENEA-s, ku rreth 200 metër nga rruga që të çon në qendër të fshatit u konstatua edhe makina e bardhë e Xhuljano Malos, ku u gjetën armët dhe kokaina. Vetëm më pas, në vendin e quajtur “Pularia” në drejtim të automjetit të forcave RENEA u qëllua me breshëri armësh, ku mbeti i vrarë efektivi Ibrahim Basha dhe u plagosën Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj.