Arrestohen Shtatë të Dyshuar për Dëmtim dhe Vjedhje në Shtëpitë e të Kthyerve

E publikuar: 20/05/2015 21:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarë të Policisë Rajonale të Pejës në një konferencë për medie të mbajtur sot bënë të ditur se arrestuan shtatë të dyshuar për vjedhje dhe grabitje të kohëvë të fundit nëpër shtëpitë e banorëve të komunitetit serb në Klinë e Istog.

Shaban Shala, drejtor i Policisë Rajonale të Pejës njoftoi se policia përveç shtatë të arrestuarve dje dhe sot ka bastisur disa lokacione.

“Dje dhe sot policia ka ndërmarrë veprime konform informacioneve dhe janë bastisur disa lokacione dhe për momentin i kemi shtatë persona të arrestuar që ndërlidhen me rastet e fundit edhe me rastet e mëhershme të vjedhjeve dhe grabitjeve,“ tha koloneli Shala.

Sipas Shalës katër prej të arrestuarve janë nga Istogu, ndërsa tre nga Klina.

Të arrestuarit dyshohen edhe për zjarrvënie të qëllimtë nëpër shtëpi. Atyre u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Grabitjet në këto komuna shqetësuan zyrtarët komunalë dhe ministrin për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtiq.

Kryetari i Klinës Sokol Bashota dënoi vjedhjen e një traktori dhe dëmtimin e një serre të familjeve të të kthyerve në Klinë, ndërsa ministri Jevtiq u takua me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jean Claude Schlumberger dhe drejtorin e Policisë së Kosovës Shpend Maxhunin./kallxo.com/