Arrestohen dy 18-vjeçarë në Obiliq, dyshohen për të paktën tetë vjedhje të rënda

E publikuar: 15/01/2026 21:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka arritur të vërë në pranga dy persona të dyshuar si pjesë e një grupi që kryente vjedhje të rënda në rajonin e Prishtinës. Operacioni u realizua nga Njësiti i hetimeve të stacionit të Obiliqit, pas një pune intensive hetimore.

Sipas raportit zyrtar, personat e arrestuar dyshohet se kishin si shënjestër kryesore aparatet e pagesave për larje veturash (vetëshërbim). Dyshja dyshohet se është përfshirë në të paktën tetë raste të tilla, ku vidheshin shumat e parave të mbledhura në këto aparate.

Të arrestuarit janë:

B. B. mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

D. O. mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

Policia bën me dije se hetimi ka çuar në identifikimin e gjithsej gjashtë personave. Përveç dy të arrestuarve, hetuesit policorë janë në kërkim edhe të katër personave të tjerë, të cilët tashmë janë të njohur për organet e rendit.

“Pas arrestimit, me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që po vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë”, thuhet në njoftimin e Policisë.