Policia malazeze arrestoi 8 policë kufitarë të dyshuar për marrje ryshfetesh nga shtetas të huaj nga Shqipëria, Turqia dhe Kosova, njoftoi të mërkurën në një konferencë shtypi, ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi Danilo Sharanoviç.
Sharanoviç tha se 7 policë janë arrestuar të martën në vendin e punës, në pikën kufitare ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë-Bozhaj-Hani i Hotit dhe një polic tjetër në Danilovgrad, një qytet pranë Podgoricës.
“Provat tregojnë se policët e arrestuar për një kohë të gjatë u kanë marrë para udhëtarëve që kanë kaluar kufirin për të shmangur kryerjen e veprimeve zyrtare dhe gjithashtu në kuadër të kompetencave të tyre kanë marrë para për veprimet zyrtare që ata duhej të kryenin.” – tha Sharanoviç.
Ky aksion, tha Sharanoviç ka zgjatur 5 muaj, ndërkohë që edhe ndaj 27 shtetasve nga Shqipëria, Turqia dhe Kosova, të cilët dyshohet se u kanë dhënë ryshfet, janë ngritur kallëzime penale. Ministri Sharanoviç theksoi se për shkak të rasteve të tilla, Ministria e Punëve të Brendshme të Malit të Zi ka nxjerrë një rregullore për kontrollin e pasurisë, të të ardhurave dhe mënyrës së jetesës të policëve.
Punonjësit e policisë dhe të doganave në pikat kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, sipas analizave zyrtare, shpeshherë janë dyshuar për veprat e shpërdorimit të detyrës dhe për korrupsion pasiv ndaj të cilëve janë ndërmarrë veprime hetimore dhe arrestime./VOA