Arrestimi i deputetëve, sa vite burg rrezikojnë Doshi e Frroku?

E publikuar: 20/03/2015 16:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kërkesa e Prokurorisë për autorizimin për arrestimin e dy deputetëve, Tom Doshi dhe mark Frroku do të shqyrtohet nga Byroja e Kuvendit dhe do të përfshihet në agjendën e punës së Kuvendit.

Neni 13 i Rregullores së re parashikon se është Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet ai që shqyrton ligjshmërinë e kërkesës së Prokurorisë e më pas kërkesa, bashkë me relacion e Këshillit, i kalon për votim seancës plenare.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, deputetët dyshohen për konsumimin e elementëve të veprave penale: “Kallëzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”.

Sipas akuzav e të ngritura nga Prokuroria, Doshi dhe Frroku rrezikojnë një vit deri në tre vite burg për akuzën e kallëzimit të rremë, një deri në katër vjet burg për kanosje për dhënie dëshmie të rreme dhe gjobë deri në një vit burg për dëshmi të rreme para prokurorit.

Pavarësisht pretendimit të Doshit, se atentati i sajuar nga Ilir Meta për vrasjen e tij është i vërtetë, organi i akuzës arsyeton se ngjarja ka qenë e sajuar.

Procedurat e parashikuara nga Rregullorja, kur Prokuroria kërkon autorizim për arrestim/ndjekje penale të një deputeti

Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë, në nenin 118 të saj përcakton procedurat që ndiqen kur Prokurori i Përgjithshëm i kërkon parlamentit autorizimin për ndjekje penale ose arrestimin e deputetëve. Më poshtë citohet neni 118 i rregullores parlamentare:

Heqja e imunitetit të deputetit

1/1. Heqja e imunitetit bëhet nëpërmjet kufizimit të tij për vepra penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv, sipas Kodit Penal, në përputhje me vendimin përkatës të Kuvendit ose nëpërmjet heqjes së tij (autorizim për fillimin e ndjekjes penale), sipas kushteve dhe procedurave në këtë nen për të gjitha veprat penale. Vendimi i Kuvendit për kufizimin e imunitetit është pjesë përbërëse e Rregullores si aneksi 1 i saj.

 

1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

 

2. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes.

 

3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

 

4. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

 

5. Procedura e parashikuar në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni zbatohet edhe në rastin kur kërkohet autorizimi për arrestimin e një deputeti.

 

6. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

 

7. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose për dhënien e autorizimit për arrestimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave./Shekulli Online/