Arrestimi i administratorit të grupit “Albkings”, reagon Haxhiu: Secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë

E publikuar: 17/04/2024 14:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të administratorit të grupit “Albkings”, që ka thënë se është grupi më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë.

Haxhiu e ka mirëpritur arrestimin e tij, derisa ka thënë se dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar sikurse edhe kërcënimet e shantazhet, denigrimet apo abuzimet nga këta persona, raporton Express.

Uroj që ky rast të vazhdojë të trajtohet me seriozitet pasi që kemi shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive apo videove private, shumë vajza dhe gra kanë bërë vetëvrasje. Secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë. E vlerësoj punën e policisë dhe prokurorisë deri më tani”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar punën e policisë dhe prokurorisë.

Ky grup numëronte rreth 100 mijë përdorues të cilët e shfrytëzonin si platformë për denigrim, shantazh, kërcënim, shpifje, abuzim ndaj vajzave dhe grave. Në këtë grup në vazhdimësi janë shpërndarë fotografi dhe video të vajzave dhe grave, duke përfshirë vajza të mitura.