- Gardianët e kishin shoqëruar për ta vizituar familjen, por ai ua “shpërbleu” këtë favor duke u arratisur, ndërsa tre gardianët të cilët po e përcillnin të burgosurin kanë përfunduar prapa grilave për shkak të neglizhencës në detyrë.
Kjo ka ndodhur dje pasdite në Prizren, në rrugën “Rrustë Kabashi” kur një i dënuar për vrasje ishte arratisur në drejtim të panjohur.
Burime policore thonë se i arratisuri është M.K. i lindur në vitin 1975 i dënuar me 14 vjet burg për vrasje.
Deri dje ai kishte vuajtur katër vjet nga dënimi i shqiptuar.
Në kohën e arratisjes ai ka ka pasur leje ta vizitojë familjen në përcjellje të tre gardianëve
“U ka kërkuar gardianëve t’ia zgjidhin duart për të shkuar në toalet që ndodhet në oborr të shtëpisë. Kur ata e kanë bërë këtë, ai ka kërcyer murin dhe është arratisur”, tha burimi policor.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha, thotë se i arratisuri i kishte vënë në lajthitje gardianët me pretekst se donte të hynte në tualet e më pas kishte kapërcyer murin e oborrit dhe kishte ikur në drejtim të panjohur.
“Pas pranimit të informacionit, Policia e Prizrenit ka ngritur pika të shumta kontrolli për kapjen e të dënuarit por nuk është gjetur deri më tani”, tha zëdhënësi Berisha.
“Lidhur me këtë rast është hapur rast për neglizhencë në detyrë ndaj gardianëve të cilët janë arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit. Të tre gardianët po mbahen në objektet mbajtëse të policisë”, u shpreh Hazir Berisha.
Arratiset i Burgosuri, Arrestohen Gardianët
NGA KATEGORIA