Policia e Kosovës ka sekuestruar një sërë armësh dhe municionesh në një shtëpi të braktisur në fshatin Joshevik, komuna e Zveçanit, pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative.
Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë automatike AK-47, një pushkë gjysmë automatike dy tytëshe, 10 karikatorë të zbrazët dhe 6 të mbushur me nga 30 fishekë, 84 fishekë për pushkë automatike dhe 14 fishekë për pushkë gjysmë automatike, 1 rrip për fishekë, 2 granata dore M50.
Pajisje për pastrimin e armëve
Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe ka udhëzuar inicimin e procedurës për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Deri më tani, nuk ka persona të arrestuar në lidhje me këtë ngjarje.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka inkurajuar që të raportojnë çdo rast të dyshimtë ose veprim të kundërligjshëm në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor, duke theksuar se bashkëpunimi i ndërsjellë është kyç për një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët.

















