Ditën e djeshme, kryetari i rizgjedhur i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, njoftoi se e filloi mandatin e tij me rënimin e objektit të Administratës dhe të objekteve përcjellëse, pas vendimit nga Instituti për Trashëgimi Kulturore, në kuadër të projektit të Bulevardit të Qytetit.
Por vendimi i Hysenit po has në papajtueshmëri nga qytetari dhe arkitekti me bazë në Finlandë, Lulzim Behxheti.
Ai ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Gjilanit ndaj Autoritetit Komunal, duke e arsyetuar se rrënimi i objektit administrativ komunal është në kundërshtim me ligjet për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.
Sipas Behxhetit, godina e ndërtuar në vitet 1978–1983 përmban materiale që përfshijnë asbest, si tuba fibrocementi dhe pllaka eterniti, të cilat janë të ndaluara të trajtohen pa procedura të posaçme dhe pa operatorë të licencuar.
Në kallëzimin e tij, Behxheti thekson se punimet janë zhvilluar pa paralajmërim publik, pa mbikëqyrje nga inspektorati mjedisor dhe pa kryer vlerësim të ndikimit në mjedis, duke rrezikuar shëndetin e punëtorëve dhe qytetarëve përreth përmes ekspozimit ndaj fibrave të asbestit në ajër. Ai thekson se kjo përbën shkelje të neneve 218 dhe 221 të Kodit Penal të Kosovës, të Ligjit për Mbrojtjen e Mjedisit, të Ligjit për Mbrojtjen e Shëndetit Publik dhe të Udhëzimit Administrativ për menaxhimin e mbetjeve që përmbajnë asbest.
Behxheti kërkon nga Prokuroria që të hapë hetime penale ndaj zyrtarëve komunalë përgjegjës, të urdhërojë pezullimin e menjëhershëm të punimeve dhe të angazhojë institucionet përkatëse për analizimin e ndotjes së ajrit dhe tokës. Ai gjithashtu kërkon që mbetjet e rrezikshme të trajtohen sipas ligjit dhe që të ngrihet aktakuzë nëse konstatohet se punimet janë kryer pa leje të vlefshme mjedisore.
E plotë:
KALLËZIM PENAL
Drejtuar:
Prokurorisë Themelore në Gjilan
Departamenti për Krime kundër Mjedisit dhe Shëndetit Publik
Nga:
Lulzim Behxheti
Arkitekt, shtetas i Finlandës
Data: 11 nëntor 2025
Lënda:
Kallëzim penal ndaj Autoritetit Komunal të Gjilanit për rrënimin e objektit administrativ komunal që përmban materiale me asbest, në kundërshtim me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik në Republikën e Kosovës.
Përshkrimi i fakteve:
Unë, Lulzim Behxheti, në cilësinë e qytetarit dhe profesionistit të fushës së arkitekturës dhe në bazë të përvojes sime 30 vjeqare në situata të ngjajshme edhe në Finlandë, paraqes këtë kallëzim penal për faktin se Komuna e Gjilanit ka filluar ose është në proces të rrënimit të objektit komunal administrativ në qendër të qytetit, ndërtuar në periudhën 1978–1983, pa kryer më parë vlerësim mjedisor dhe pa zbatuar procedurat e detyrueshme për menaxhimin e materialeve që përmbajnë asbest. Sipas të dhënave teknike të periudhës ndërtimore, ky objekt përmban tuba fibrocementi (asbest-cement) në sistemin e ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe pllaka eterniti në çati dhe elemente izolimi, që konsiderohen materiale të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, sipas legjislacionit të Kosovës. Punimet janë zhvilluar pa paralajmërim publik, pa mbikëqyrje nga inspektorati mjedisor dhe pa kontraktim të një operatori të licencuar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë për punëtorët dhe qytetarët përreth përmes ekspozimit ndaj fibrave të asbestit në ajër.
Baza ligjore:
Ky kallëzim mbështetet në:
Nenin 218 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës – Ndotja e mjedisit që rrezikon shëndetin e njerëzve;
Nenin 221 – Trajtimi i rrezikshëm i mbeturinave;
Ligjin Nr. 03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, nenet 13 dhe 15, që ndalojnë heqjen ose përdorimin e substancave të rrezikshme pa leje mjedisore;
Ligjin Nr. 02/L-102 për Mbrojtjen e Shëndetit Publik, neni 4 dhe 12; Udhëzimin Administrativ Nr. 09/2011 për menaxhimin e mbetjeve që përmbajnë asbest; Konventën e Bazelit (1989) për kontrollin e transportit ndërkufitar të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre, e ratifikuar nga Kosova.
Kërkesat:
Kërkoj nga Prokuroria Themelore në Gjilan që të:
1. Hapë hetime penale ndaj personave përgjegjës në Komunën e Gjilanit për shkelje të dispozitave të lartpërmendura.
2. Urdhërojë pezullimin e menjëhershëm të punimeve derisa të kryhet vlerësimi i rrezikut nga asbesti nga një laborator i licencuar
3. Angazhojë Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe Inspektoratin e Punës për të mbledhur mostra dhe për të analizuar ndotjen e ajrit dhe tokës në zonë.
4. Sigurojë që mbetjet që përmbajnë asbest të menaxhohen sipas procedurave të përcaktuara në ligj dhe me operatorë të licencuar
5. Të hapë hetim penal ndaj personave përgjegjës në Komunën e Gjilanit për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Mjedisit dhe për rrezikim të shëndetit publik
6. Të parashtrojë aktakuzë nëse konstatohet se punimet janë kryer pa leje të vlefshme mjedisore.
Me respekt
Lulzim Behxheti
Arkitekt, Finlandë


















