Dhjetëra qytetarë janë ankuar në rrjete sociale se janë duke u shqetësuar nga numrat të panjohur me prefiksin malazez (+382680800112). Thirrjet nga këta numra po i harxhojnë kreditë.
Kryetari i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, ka thënë për KosovaPress, se janë duke e analizuar këtë fenomen së bashku me operatorët vendorë dhe atë të Malit të Zi.
Sipas tij, nëse vazhdojnë këto thirrje, shumë rregullatorë së bashku me operatorin Telekomi i Kosovës, në bashkëpunim me Malin e Zi, do t’i bllokojnë këto thirrje.
“Jemi duke e analizuar këtë fenomen së bashku me operatorët tanë dhe atë të Malit të Zi. Qytetarët nuk tariforen edhe nëse pranojnë çfarëdo thirrje, përveç kohës që janë në roaming, jashtë vendit. Sipas operatorit Telekomi i Kosovës, nuk është numri i madh i këtyre thirrjeve, por nëse pranohen thirrje të tilla shqetësuese, Telekomi, së bashku me operatorët dhe së bashku me kolegët e rregullatorit të Malit të Zi, do të bllokojmë numrat nga vijnë këto thirrje”, tha Gashi përmes një përgjigje elektronike.
Gashi po ashtu ka thënë se ARKEP do të njoftojë për rezultatet e analizës dhe hapat që do t’i ndërmarrin. Ai ka hedhur poshtë dyshimet se ky fenomen ka të bëjë me dukurinë sim-to-sim.


















