Përfundimisht, mbi 200 mijë numrat e shfrytëzuar nga operatori Z-Mobile do të jenë në pronësi të Telekomit të Kosovës, pas periudhës tranzitore prej 120 ditëve.
Këtë vendim e ka marrë të mërkurën Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare.
Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka thënë se do t’i kryejnë procedurat administrative për marrjen e këtyre sim-kartelave dhe se konsumatorët nuk do të kenë ndërprerje.
Istrefi ka thënë se përmes shfrytëzimit të këtyre numrave do të rriten të hyrat me mbi 1 milion euro në muaj.
Këtë vendim të ARKEP-it e ka mirëpritur edhe Sindikata e Punëtorëve të Telekomit.
Në një përgjigje me shkrim, kompania Z-Mobile e konsideron këtë vendim të ARKEP-it të padrejtë, duke thënë se në ditët në vijim do t’i përgjigjen këtij institucioni.
Në korrik të këtij viti, Telekomi i Kosovës nuk e ka vazhduar kontratën me kompaninë Z-Mobile, e cila ishte nënshkruar në janar të 2009-s.
Telekomi, tash e disa vjet, ndodhet në krizë financiare. Pas vendimit të Arbitrazhit, borxhi i Telekomit ndaj kompanisë Z-Mobile kap shifrën e rreth 26 milionë eurove.