Argjentina është fituese e trofeut të çmueshëm të Kupës së Botës “Katar 2022”.
Të përzgjedhurit e Lionel Scalonit triumfuan në finalen e sotme kundër Francës, shkruan Gazeta Express.
Argjentina doli fituese vetëm pas ekzekutimit të penalltive, pas 120 minuta u mbyllën me rezultatin e barabartë, 3:3.
“Albiceleste” fillimisht krijuan epërsi prej dy golash. Lionel Messi shënoi nga penalltia në minutën e 23-të, teksa Angel Di Maria e dyfishoi rezultatin pas 13 minutash.
Dhjetë minuta para fundit të ndeshjes, në skenë u shfaq Kylian Mbappe, i cili shënoi dy herë brenda dy minutave për ta çuar ndeshjen në vazhdime. Sulmuesi francez shënoi nga penalltia në minutën e 80-të, kurse dy minuta më vonë shënoi nga loja e hapur.
Në vazhdime Argjentina e riktheu epërsinë, falë golit të Messit në minutën e 109-të.
Por, Mbappe doli në skenë sërish dhe shënoi në minutën e 118-të nga penalltia.
Kësisoj, 120 minutat u mbyllën me rezultatin 3:3. Argjentina fitoi në penallti me rezultatin 4:2.
Messi, Dybala, Paredes dhe Montiel u treguan të saktë nga 11 metra, kurse Mbappe e Kolo Muani ishin të saktë te francezët, por dështuan Coman dhe Tchouameni.
Argjentina në fund iu gëzua këtij triumfi për herë të tretë në histori, si dhe për herë të parë pas një pritjeje të gjatë 36 vjeçare. /Gazeta Express/