Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në kuvendin e shtatë zgjedhor të saj ka zgjedhur kryesinë e re me 76 vota për, 6 kundër dhe 1 abstenim.
Nënkryetari i parë i kësaj kryesie është Ardian Gjini, ndërsa nënkryetarë të tjerë janë edhe Donika Kadaj, Ahmet Isufi, Pal Lekaj dhe Gazmend Abrashi.
Në këtë përbërje, 25 anëtarë prej tyre për herë të parë janë pjesë e kësaj kryesie.
Në mesin e tyre do të jetë edhe ish-gazetari dhe analisti Muharrem Nitaj.
“Pas sa vitesh si gazetar, opinionist e analist, kam vendosur që aktivitetin tim ta provoj në politikë. I bindur se gjithmonë ka një moment kur duhet gjetur rrugë më të përshtatshme për të ofruar përvojën dhe dijen për të miren e përbashkët, jam përcaktuar për sferën më jopopullore në Kosovë. E kam pranuar ofertën e Ramush Haradinajt, jo për të ndryshuar vetë, por për ta dhënë kontributin tim në ndryshimin e AAK-së”, ka shkruar Nitaj, në faqen e tij në Facebook.
Në këtë proces zgjedhor vërehet mungesa e njërit ndër figurat kryesore të kësaj partie, Burim Ramadani i cili është tërhequr nga strukturat e brendshme.
Kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, është shprehur se ndryshimet që kanë ndodhur brenda partisë iu kanë kushtuar, duke mbetur në opozitë. “Ne deshëm të bëjmë ndryshime si parti, por kjo na kushtoi dhe ne kemi mbetur jashtë Qeverisë”
Por, haradinaj beson se koalicioni LDK-PDK kanë tani nevojë për ta, pasi nuk po mund t’i lëvizin gjërat e mëdha vetëm. “Ne mund të ju ndihmojmë me vetëm një zgjidhje, nëse shkojmë në zgjedhje”
“Atëherë ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi”, tha Haradinaj.