Barcelona është në epërsi prej 2-1 kundër Juventusi në finalen e Ligës së Kampionëve që po zhvillohet në Olympiastadion në Berlin.
Bianconerët e nisën me iniciativë ndeshjen, mirëpo në rastin e parë që dolën përpara, Blaugranët kaluan në epërsi.
Iniesta pranoi një top nga Neymar dhe ishte fantastik në asistimin e tij te Ivan Rakitic, ndërsa kroati nuk e pati të vështirë të shënonte (4’).
Që nga momenti i golit, katalunasit ishin ata që sulmonin vazhdimisht, ndërkohë që bardhezinjtë përpiqeshin ta mbrojnë portën e tyre. Buffon ishte njeriu që shpëtoi golin e dytë pas goditjes së Dani Alves.
Lojtarët e ekipit italian e kishin të vështirë ta mbanin topin edhe kur shkonin përpara, pasi skuadra spanjolle bënte presion të vazhdueshëm për ta zotëruar topin.
Sidoqoftë, ata arritën që në pak raste ta vinin në vështirësi kundërshtarin, derisa portieri i Juves sërish ishte hero për ta penguar goditjen e Suarez.
Skemë e njëjtë e lojës u pa edhe në gjysmën e dytë, në të cilën katalunasit sulmonin, ndërsa bardhezinjtë mbroheshin. Mirëpo, gjërat ndryshuan papritur, italianët barazuan.
Marchisio ishte mahnitës me pasimin me thembër te Lichtsteiner, i cili asistoi te Tevez. Goditjen e argjentinasit e ndali portieri blaugran, por aty ishte Alvaro Morata për t’i shënuar rivalit të tij (55’).
Pas barazimit, loja filloi të hapej, me ç’rast bardhezinjtë tregoheshin gjithnjë e më të rrezikshëm. Mirëpo, pas një kërkimpenaltie nga Pogba, Blaugranët ndëshkuan.
Një aksion i Lionel Messit. Goditjen e argjentinasit e ndali Buffon, por aty ishte Luis Suarez për të kthyer epërsinë e ekipit spanjoll (68’).