Arber Ismajli viziton “Future Minds Academy” në Gjilan: Premton bashkëpunim për të rinjtë

E publikuar: 03/07/2025 19:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arber Ismajli, vizitoi sot “Future Minds Academy”, një qendër inovative edukativo-teknologjike që po kthehet në simbol të zhvillimit modern në qytet.

I udhëhequr nga Ridvan Aliu, profesionist me përvojë ndërkombëtare, akademia ka shpërndarë mbi 150 bursa falas me vlerë mbi 110,000 €.

Ismajli premtoi marrëveshje bashkëpunimi për të përkrahur të rinjtë dhe projektet e tyre inovative.

Postimi i plotë:

Sot pata kënaqësinë të vizitoj “Future Minds Academy” në Gjilan, një qendër frymëzuese edukativo-teknologjike që po e kthen qytetin tonë në një pikë referimi për inovacion dhe zhvillim modern në nivel global.

Kjo akademi, e udhëhequr nga z. Ridvan Aliu, një profesionist me përvojë të gjatë në Coca-Cola, Microsoft dhe Amazon, është një shembull i jashtëzakonshëm i kthimit të dijes dhe eksperiencës nga diaspora në shërbim të rinisë sonë në vendlindje.

Në këtë vizitë u njoftova nga afër me punën mbresëlënëse që po zhvillohet në kuadër të akademisë, përfshirë Start-Up-et inovative dhe laboratorin e dronëve inteligjentë Made in Kosova, ku të rinjtë e Gjilanit po krijojnë zgjidhje të avancuara me inteligjencë artificiale.

Veçanërisht inspiruese ishte edhe puna me të rinjtë nëpër shkolla janë shpërndarë mbi 150 bursa falas për të gjitha nivelet e sistemit arsimor, me një validitet 1-vjeçar, dhe një vlerë financiare që ka kaluar shumën prej 110,000 €, një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen tonë.

Në të ardhmen, si komunë, do të lidhim një marrëveshje bashkëpunimi me Future Minds Academy për të krijuar kushte më të mira për të rinjtë tanë, përmes bursave, financimit të projekteve dhe përkrahjes së ideve të tyre që meritojnë të dëgjohen në skenën globale.

Një falënderim i veçantë për menaxhmentin e akademisë për këtë investim madhor dhe për faktin që po e bëjnë Gjilanin emër me reputacion në nivel global. Jam thellësisht i impresionuar nga përkushtimi, vizioni dhe puna që po bëhet! Gjilani ka një perlë të vërtetë të inovacionit dhe e ardhmja po ndërtohet pikërisht këtu!