Në Ballë për Ballë në emisionin Ora e Fundit i ftuar ishte Arben Qirezi, doktor i Shkencave Politike.
Ai ka folur rreth deklaratave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin i cili tha se Kosova është e pavarësuar nga Serbia dhe të drejtat ndërkombëtare nuk duhet ndryshuar kurrsesi.
“Është një imponim strategjik të cilin po përpiqet ta bëjë Rusia tash e sa kohë, sikur me situatën në Ukrainë tash e sa kohë e cila është duke zgjatur dhe përpjekjeve të saj për të hyrë në Ballkan ku e ka gjetur një aleat të vetin, Serbinë e cila nuk është e kyçur në proceset integruese atlantike”.
Sipas Qerizit, Rusia dëshiron që perëndimi të mos ia prek hapësirën e saj në vendet e ish – Bashkimit Sovjetik.
“Përmes kësaj Rusia është duke i thënë perëndimit që është duke hyrë në oborr të sajin, dhe nuk duhet të veprojë kështu se përndryshe se ajo mund të ndërrmer masa reciprociteti në vendet e Ballkanit”.
Sipas tij Rusia nuk do të jetë e gatshme që të hyjë në luftë me Serbinë.
“Nuk besoj që Rusia do të hynte në luftë me Serbinë, aq sa ka qenë i gatshëm perëndimi që të hyjë në luftë për Ukrainën, që është një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm për SHBA-të dhe NATO-n”.
Megjithatë Qerizi thekson se kjo është një përpjekje e Rusisë që ta ritheksojë rolin e vet.
“Duhet të egzistojë një balanc strategjik ndërmjet vendeve të Ballkanit me ombrellën e sigurisë që e ofron NATO-ja dhe përmes zgjerimit të saj në vendet ballkanike”.
Ai konsideron se Kosova nuk është e rrezikuar nga ndonjë luftë e përgjitshme.
“Konsideroj se Kosovës në mënyrë të drejpërdrejt nuk i kanoset ndonjë rrezik nga ndonjë luftë e përgjithshme edhe pse kjo nuk varet drejtpërdrejt nga Kosova dhe Ballkani”.
“Kjo është një lojë më e gjerë ndërkombëtare, pra varet nga ajo se çka ndodh ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë dhe jo çka ndodh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Deklaratën e presidentit rus, Vladimir Putin për mediat gjermane duke cilësuar si të ligjshme Pavarësinë e Kosovës ai e sheh si një politikë ruse.
“Unë konsideroj se deklarata e Putinit ka pas të bëjë me tërheqjen e paraleles ndërmjet Kosovës, dhe vendeve të banuara me popullsi me shumicë ruse në Ukrainë”.
“Kjo ka qenë një politikë ruse që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, pra ku thotë se nëse Pavarësia e Kosovës është e ligjshme atëherë duhet të jetë e ligjshme edhe Pavarësia e rajoneve të tjera të cilat duan të shkëputen”.
“Kjo është një lojë në vazhdimësi e Rusisë, nuk konsideroj se kjo është një lëvizje politike me raport me Kosovën në raport me Rusinë”.

















