Arabia Saudite kërcënon që t’i shesë asetet e ShBA-ve nëse Kongresi e kalon projektligjin për 11 shtatorin

E publikuar: 16/04/2016 19:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mediat botërore raportojnë se zyrtarët në Arabinë Saudite i kanë thënë Obamas se ata do t’i shesin asetet amerikane në vlerë qindra miliarda dollarë nëse Kongresi Amerikan e miraton një projektligj, sipas të cilit Qeveria saudite do të mbahej përgjegjëse për çfarëdo roli në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001
Në prag të vizitës së presidentit amerikan, Barack Obama, në Arabinë Saudite, The New York Times shkruan se Shtëpia e Bardhë ka kohë që është duke lobuar që ta bllokojë miratimin e këtij projektligji, dhe se kërcënimi nga Arabia Saudite ka qenë temë e bisedimeve intensive, transmeton Gazeta Express.

Sipas The New York Times, Adel al-Jubeir, ministri i Jashtëm saudit, e ka dërguar mesazhin e mbretërisë gjatë një vizite në Uashington muajin e kaluar, duke i thënë ligjvënësve amerikanë se Arabia Saudite do të detyrohej t’i shiste deri në 750 miliardë dollarë të letrave me vlerë të thesarit dhe asete tjera në ShBA para se të ato të rrezikoheshin të ngriheshin nga gjykatat amerikane.

LEXO EDHE
Tigri vret një grua kujdestare në një kopsht zoologjik në Florida
Pesëmbëdhjetë nga nëntëmbëdhjetë burrat që rrëmbyen katër aeroplanë dhe fluturuan me ta drejtë e në shënjestrat e tyre në Nju Jork dhe Uashington në vitin 2001, ishin qytetarë sauditë, edhe pse Riadi gjithmonë e ka mohuar se ka pasur ndonjë rol në ato sulme.

Një komision amerikan, i cili u themelua pas sulmeve, po ashtu ka ardhur në përfundim se nuk ka prova se Arabia Saudite i kishte mbyllur sytë për këtë gjë. Por, Shtëpia e Bardhë ka qenë nën presion për të nxjerrë nga lista e dokumenteve sekrete një seksion 28 faqesh të një raporti i cili kurrë më parë nuk ishte publikuar për shkak të sigurisë kombëtare./Gazeta Express/