Arabët ia çelin gojën Kryeministrit – më në fund flet për shëndetësi

E publikuar: 06/12/2016 16:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Isa Mustafa duke qenë pjesë e një inaugurimi të renovimit të Spitalit të Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtri, më në fund ka folur për shëndetësinë në Kosovë, duke thënë se është prioritet i Qeverisë. Mustafa ka thënë se tani vëmendja e Qeverisë është në shëndetësinë e qytetarëve.

Këto deklarata për shëndetësinë e vendit Mustafa ka vendosur t’i bëjë në këtë event bashkë me përfaqësuesit arabë

Në këtë inaugurim, të pranishëm përpos kryeministrit Mustafa ishte edhe ministri i shëndetësisë, Imet Rrahmani, ministri i shëndetësisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, AbdulRahman Bin Mohamed Al Owais, ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe në Mal të Zi, Hafsa Abdulla Mohamed Sharif Al Ulama, si dhe zyrtarë e përfaqësues të tjerë institucional.

Kryeministri ka falënderuar Emiratet e Bashkuara për përkrahjen në sektorin e shëndetësisë, për të cilin kryeministri ka kohë që nuk ka folur, shkruan Gazeta Express.

“Ne kemi kthyer tani vëmendjen tonë në shëndetësinë e qytetarëve tonë, e kemi bërë këtë prioritet të Qeverisë, veçanërisht investimet në infrastrukturën shëndetësore dhe po mundohemi të bëjmë reforma të caktuara, në mënyrë që shëndetësinë ta zhvillojmë ashtu siç e meriton. Është ky një investim prej 7 milionë eurove, për çka jemi falënderues Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe. Është një hap i rëndësishëm në përgatitjen gjithëpërfshirëse të infrastrukturës shëndetësore, për të mundësuar reforma të rëndësishme dhe të suksesshme për ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, tha kryeministri.

Komunikata për media tregon se Mustafa ka lavdëruar këtë spital, duke treguar se paska pajisje moderne të cilat padyshim janë pikë referuese për rreth 400 mijë banorë të Vushtrisë dhe rrethinë.

“Si një ndër projektet më madhore të shëndetësisë pas luftës, ky spital paraqet dorën e fundit të pajisjeve dhe të infrastrukturës moderne, do t’iu shërbejë profesionistëve tanë shëndetësorë, në mënyrë që ata të ofrojnë shërbime cilësore për çdo njeri në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa, duke falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe për ndihmën e dhënë për banorët e Vushtrrisë dhe më gjerë, shkruan në njoftim.

Ndërkaq, ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe në Mal të Zi, Hafsa Abdulla Mohamed Sharif Al Ulama, me këtë rast tha ka shprehur urimet e udhëheqjes dhe popullit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Ky spital, i cili është një simbol i miqësisë mes dy vendeve tona, është i pajisur me pajisje të fundit mjekësore dhe ekipin më kompetent dhe të përkushtuar në forcimin e sektorit të kujdesit shëndetësor dhe për t’i shërbyer popullit të Kosovës”, tha ambasadorja Hafsa Abdulla Mohamed Sharif Al Ulama, duke shtuar se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë gjithmonë një mbështetës i fortë i të gjitha aktiviteteve humanitare në Kosovë, duke siguruar po ashtu, se Emiratet e Bashkuara Arabe do të mbeten një mik shumë i mirë i Kosovës, shkruan në njoftim të Kryeministrisë. /GazetaExpress/