Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ka minuar besimin karshi qytetarëve për shkak të njoftimeve kundërthënëse në lidhje me produktin Aptamil, që përdoret për fëmijë.
Brenda pak kohe, kjo Agjenci ka dalë me dy njoftime zyrtare diametralisht të kundërta për një nga produktet më të ndjeshme në treg, qumështin për foshnje Aptamil. Fillimisht, më 25 dhjetor 2025, AUV siguroi opinionin publik se produkti ishte “i sigurt për konsum” dhe se lejohej sërish të shitej në treg. Më pas, më 26 janar 2026, e njëjta agjenci njoftoi tërheqjen e menjëhershme të një serie të Aptamilit, duke e cilësuar rrezikun si “serioz” për shkak të pranisë së një substance toksike, raporton Infosot.
Ky ndryshim i shpejtë i qëndrimit zyrtar ka ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën e komunikimit institucional, për besueshmërinë e mekanizmave të kontrollit dhe për sigurinë reale të produkteve ushqimore për foshnje në Kosovë.
Në komunikatën për media të datës 25 dhjetor 2025, AUV bëri të ditur se, sipas njoftimit të Komisionit Evropian përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), produkti Aptamil AR 1 ishte ritestuar nga autoritetet kompetente në Holandë dhe kishte rezultuar në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore, por pa ofruar as edhe një dëshmi për këtë.
Bëhej fjalë për lotin me numër 111444865, me datë skadimi 17.05.2026, të prodhuar nga Nutricia Cuijk BV në Holandë dhe të importuar në Kosovë nga kompania UNION SH.P.K. nga Vushtrria. AUV theksonte se ndalimi paraprak kishte qenë “masë parandaluese” dhe se produkti lejohej sërish të shitej në treg.
Mesazhi i AUV ishte që qumështi për foshnje ishte i sigurt, rreziku ishte përjashtuar dhe institucionet kishin vepruar në mbrojtje të shëndetit publik.
Vetëm një muaj më vonë, më 26 janar 2026, AUV publikoi një tjetër njoftim, këtë herë me një përmbajtje krejtësisht tjetër. Sipas këtij njoftimi, përmes RASFF-it ishte pranuar alarmi nr. 2026.0598, ku në një seri të produktit ushqimor për foshnje APTAMIL ishte identifikuar prania e substancës Cereulide, një toksinë e rrezikshme që lidhet me helmime ushqimore.
AUV njoftoi se rreziku ishte vlerësuar serioz dhe se ishte ndërmarrë tërheqja e menjëhershme nga tregu e produktit APTAMIL AR 2, formulë ushqimore për foshnje, paketimi ENG 24 x 400 gr, e prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone) dhe e importuar po ashtu nga UNION SH.P.K.
Konsumatorëve iu bë thirrje që produktin të mos e përdorin dhe ta kthejnë në pikat e shitjes.
Edhe pse formalisht bëhet fjalë për produkte dhe seri të ndryshme (AR 1 dhe AR 2), fakti që brenda një periudhe kaq të shkurtër AUV kalon nga një komunikim qetësues në një alarm serioz për të njëjtin brend dhe për ushqim për foshnje, ka krijuar pasiguri te publiku.
Mungesa e një shpjegimi të detajuar për dallimet mes rasteve dhe për mënyrën se si është menaxhuar rreziku e lë hapur dyshimin se komunikimi institucional ka qenë i vonuar ose i paplotë.
Ushqimi për foshnje është një nga kategoritë më të ndjeshme të produkteve ushqimore dhe çdo paqartësi apo mospërputhje në njoftimet zyrtare ndikon drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve përgjegjëse. Në këtë rast, AUV jo vetëm që nuk ka dhënë sqarime shtesë për kontradiktën mes dy njoftimeve, por as nuk ka adresuar publikisht shqetësimin se një produkt i shpallur “i sigurt” mund të pasohet kaq shpejt nga një alarm për rrezik serioz.
Pa një sqarim të plotë institucional, kontradikta mes dy njoftimeve zyrtare mbetet një anomali serioze, që jo vetëm dëmton besimin në institucion, por rrit frikën se siguria ushqimore nuk po menaxhohet me seriozitetin që kërkohet.



















