Apple mund të prezantojë një pajisje të re Apple TV në Konferencën Mbarëkombëtare të Zhvilluesve, që do të zhvillohet në muajin qershor. Ky lajm është bërë i ditur nga Buzzfeed, e cila citon burime të afërta me kompaninë.
Raporti sugjeron se hardueri do të ketë një dizajn të ri, çipin A8 të Apple-it, më shumë hapësirë, si dhe asistentin virtual Siri dhe integrimin e platformës Homekit. Televizori i ri i Apple-it do të ketë dyqanin e tij virtual të aplikacioneve, App Store, dhe një zhvillues softueri, që do t’u japë mundësi zhvilluesve të krijojnë aplikacione të reja për ekranet e televizorëve.
Këto veçori shtesë mund të ndihmojnë Apple-in të korrë sukses në tregun e televizorëve, ku konkurrenca është e fortë. Shumë kompani teknologjike i janë bashkuar tregut të televizorëve, përmendim këtu Amazon-in me pajisjen shumë popullore Fire TV, Google-in me platformën e saj Android TV, Microsoft-in, e cila do të sjellë aplikacione Windows tek konsola e saj Xbox One në fund të këtij viti.
Veçoria më interesante, që përdoruesit e Apple TV kanë kohë që e presin, është kontrolluesi zanor Siri. Apple mund të prezantojë në fund të këtij viti shërbimin e ri të abonimit tek televizorët.